De Biasi si pasardhës i Contes te Italia, përgjigjet trajneri

Përveç konfirmimit të Gianni De Biasit se do të qëndrojë me Kombëtaren Shqiptare deri në vitin 2017, ashtu siç e parashikon klauzola për rinovimin automatik të kontratës, programi “Sky Football Night” i gazetarit dhe specialist të merkatos, Gianluca Di Marzio konfirmoi një tjetër aspekt. Suksesi i jashtëzakonshëm në krye të përfaqësueses kuqezi, e ka shndërruar De Biasin në një trajner mjaft të dashur edhe në Itali. Pas përfshirjes në listën e teknikëve më të suksesshëm, përkrah Trapattonit, Lippit e Capellos, tashmë 59-vjeçari cilësohet edhe në nivelin e Antonio Contes, transmeton SuperSport.

Madje, në sondazhin e organizuar nga televizioni “Sky Sport”, 70 për qind e italianëve i janë përgjigjur pozitivisht pyetjes nëse dëshirojnë që De Biasi të emërohet trajner i Kombëtares italiane. Një ndryshim statusi i menjëhershëm për drejtuesin e stolit kuqezi, që prej vitesh cilësohej si një takticien i shkëlqyer përtej Adriatikut, por gjithmonë është përfshirë në listën e trajnerëve të nënvlerësuar.

Nga ana e tij, De Biasi është shprehur maksimalisht i përqendruar në projektin me Shqipërinë dhe ngacmimeve për një të ardhme në përfaqësuesen e “kaltër”. Trajneri deklaroi se “nuk mendon aspak për postin në krye të Italisë për aq kohë sa aty qëndron Conte”. Ai e vlerësoi kolegun “si një teknik të madh, që po bën një punë të shkëlqyer” me skuadrën. Kontrata e Antonio Contes në krye të Kombëtares së kaltër përfundon pas Euro 2016, por presidenti i Federatës Italiane, Carlo Taveçhio është shprehur optimist se trajneri do të rinovojë edhe për dy vjet të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button