Veseli: Askush nuk ka të drejtë të bllokojë institucionet e Kosovës

Kryesia e Kuvendit të Republikës Kosovës pas mbledhjes së mbajtur sot, ka vendosur që seanca e ardhshme plenare e Kuvendit të mbahet të premten me fillim në ora 16:00, ka bërë të ditur kryeparlamentari Kadri Veseli, raporton Anadolu Agency (AA).

“Të premten e kemi mbledhjen, vazhdimin e seancës së Kuvendit”, tha Veseli duke shtuar se do të jenë dhjetë pika të rendit të ditës në atë seancë.

Në pyetjen e gazetarëve se në çfarë forme pushteti do t’i shmanget bllokimit të punës së Kuvendit, të paralajmëruar nga opozita nëse Kryesia e Kuvendit e cakton seancën pa anulimin e marrëveshjeve kontestuese, kryeparlamentari Veseli tha se pushteti dhe opozita janë pjesë e veprimit institucional të Kosovës dhe se së bashku, duhet t’i kryejnë obligimet e veta kushtetuese dhe ligjore, për të përmirësuar kushtet dhe standardin e jetës së qytetarëve të vet.

“Shpresoj se njerëzit e vetëdijshëm dhe njerëzit e mençur, aq më tepër ne që jemi të zgjedhurit e popullit çdo komunikim e kemi përmes dialogut, përmes arsyes. Shpresoj dhe besoj edhe në arsyen e përbashkët se agjenda për përmirësimin e jetës së qytetarëve është prioritet për ne se institucionet e Republikës së Kosovës janë vendi ku ne bashkërisht duhet të komunikojmë në mes vete, në mënyrë që të mbrojmë atdheun, institucionet dhe interesin e qytetarëve tanë”, tha Veseli.

Në insistimin se megjithatë, opozita po kërkon që derisa të mos gjendet zgjidhja për situatën aktuale, të mos thirret asnjë seancë e Kuvendit, Veseli u përgjigj se askush nuk ka të drejtë të bllokojë institucionet dhe t’i rrezikojë interesat e qytetarëve të vendit.

“Opozita është shumë e respektuar, janë 31 deputetë të cilët ne jemi duke i dëgjuar çdo ditë, por në të njëjtën kohë edhe pozita është po ashtu e respektuar. Ne duhet t’i krijomë mundësi njëri tjetrit që të dalim nga kjo situatë. Askush nuk ka të drejtë të bllokojë punën e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe askush nga ne nuk ka të drejtë të marrë primatin rreth një të drejte. Kosova dhe interesat e qytetarëve të saj mbrohen vetëm përmes institucioneve, këtu në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi Veseli

Kryetari i Kuvendit të Kosovës ishte i vendosur kur deklaroi se seanca e radhës do të mbahet si është më së miri dhe se asgjë nuk mund të zbraps Kryesinë e Kuvendit për të vazhduar punën dhe mbrojtur institucionet e vendit

“Do të jetë një vendosmëri se nuk ka asnjë gaz lotsjellës, as ndonjë mjet që na zbraps nga qëllimi për të mbrojtur institucionet, forcimin e shtetit, integrimin e shtetit në strukturat euro-atlantike”, tha kryeparlamentari Veseli duke kërkuar nga opozita që të përmbahen nga dhuna, përdorimi i gazit lotsjellës dhe i ftoi që të kenë sjellje dinjitoze në Kuvend.

Duhet theksuar se edhe kësaj here, mbledhja e kryesisë ishte bojkotuar nga shefat e grupeve parlamentare të Vetëvendosjes, AAK-së dhe Nismës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button