Platini: E turpshme të përfshihem në korrupsionin e FIFA-s

Presidenti i UEFA-s, Michel Platini, i cili për një periudhë 3 mujore është i pezulluar nga detyra, ka zbuluar arsyen se përse nuk ka një dokument që vërteton pagesën prej 2 milionë Frangash zvicerane nga FIFA në drejtim të tij.

Javën e kaluar presidenti i dorëhequr i qeverisë së futbollit botëror, Sepp Blatter, deklaroi se francezit i janë paguar 2 milionë Franga zvicerane për punën që ka bërë në FIFA gjatë periudhës 1999-2002, një marrëveshje të cilën Blatter e ka konsideruar si një akord xhentëlmenësh.

Megjithatë ky operacion është kthyer në një objekt hetimi nga Komisioni i Etikës në FIFA pasi nuk ka asnjë letër të shkruar që ta vërtetojë atë. Arsyen e mungesës së një dokumenti që vërteton këtë pagesë në llogarinë e tij, Platini e arsyeton me faktin se ai kishte shumë besim te Blatter.

“Për shumë kohë nuk kam patur asnjë avokat dhe asnjë menaxher që të kujdesej për intersat e mia, sepse kam qenë një njeri i drejtpërdrejtë. Isha duke u bërë president i FIFA-s. Unë besova te ai”.

Më pas 60-vjeçari zbuloi më saktësisht se çfarë profesioni mbulonte ai në FIFA gjatë asaj periudhe.

“Kam punuar me reformën e kalendarit global të konkurrencës që ka qenë pjesë e projektit të FIFA-s. Një mënyrë kjo për të ndihmuar federatat më të varfra që bëjnë pjesë në FIFA në të gjithë Botën. Ndërkohë kam shoqëruar edhe Blatter-in në shumë nga udhëtimet e tij. Në fakt kam punuar me shumë persona dhe mund ta vërtetoj këtë”.

Në fund Platini e cilësoi si të turpshme situatën që po përjeton pasi sipas francezit është e padrejtë që emri i tij është përfshirë në aferat korruptive të disa prej zyrtareve të FIFA-s.

“Jam pezulluar me tre muaj, por ajo që më shqetëson më shumë është se jam vendosur në të njëjtin thes me të tjerët. Një situatë e turpshme kjo, të cilën jam i bindur se avokatët e mi do ta zgjidhin sa më parë”./S.S

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button