Presidentja Jahjaga fton partitë politike për dialog politik dhe dalje nga kriza

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka filluar të veprojë për të gjetur daljen nga kriza aktuale në të cilën ka hyrë politika kosovare, pas mospajtimeve mes pushtetit dhe opozitës dhe bllokimit të punës së Kuvendit të Kosovës nga opozita e bashkuar, tash e një muaj.

Lidhur me këtë, sot në mëngjes presidentja Jahjaga ftoi në takim udhëheqësit më të lartë të institucioneve të vendit dhe bisedoi me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veselin por jo edhe me kryeministrin e Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafën, i cili nuk u paraqit tek presidentja.

Pas takimit Jahjaga-Veseli, në konferencë për shtyp, presidentja e Kosovës iu bëri thirrje të gjitha partive politike, pushtetit dhe opozitës, që të fillojnë bisedimet dhe dialogun për të gjetur rrugëdaljen nga situata e cila po bllokon punën e Kuvendit dhe për shkak të kësaj edhe të Qeverisë së Kosovës. Ajo theksoi se veprimet e dhunshme nuk janë zgjidhje dhe si të tilla, janë të papranueshme.

“Veprimet e dhunshme dhe diskursi si në institucione dhe jashtë tyre të ditëve të fundit janë të  papranueshme dhe rrezikojnë të cenojnë konsensusin demokratik në Republikën e Kosovës” tha Jahjaga.

Më tutje, ajo bëri me dije se, mandati i saj si Presidente e vendit është që të garantojë funksionimin demokratik të institucioneve dhe të shërbej si faktor uniteti, prandaj ka ftuar të gjitha partitë parlamentare të Kosovës që ta pranojnë ftesën për dialog, me të cilin synon t’i jep fund mospajtimeve aktuale.

“Tashmë ftesat subjekteve politike si të koalicionit qeveritar ashtu edhe partive opozitare u janë dërguar, fillimisht për takime të ndara në zyrën time, dhe përfundimisht, në mirëbesim, në tryezë të përbashkët. Shpresoj që kjo iniciativë e imja të ndihmojë që shqetësimet t’i adresojmë me pjekuri politike dhe duke dëshmuar angazhimin tonë që të jetësojmë përkushtimin tonë për një demokraci parlamentare që fuqizon institucionet, forcon besimin e qytetarëve në perspektiven e vendit të tyre dhe krijon pajtimin  bazik për rrugën tonë përpara”, deklaroi presidentja Jahjaga.

Duke ftuar partitë politike dhe përfaqësuesit e tyre që t’i përgjigjen ftesës, të tregojnë vullnet për gjetje të gjuhës së përbashkët për daljen nga kriza aktuale, Jahjaga ka theksuar se periudha në të cilën momentalisht ndodhet Kosova është periudhë kur duhet të dëshmohet pjekuria politike e të gjitha palëve.

“Tash, më shumë se kurrë është momenti t’ua dëshmojmë të gjithë qytetarëve që na e kanë besuar udhëheqjen e këtij shteti se, dëshira e tyre për të jetuar në paqe, të kenë një ardhmëri të sigurt për ta e për brezat e ardhshëm, nuk është premtim që zbehet përballë sfidës së parë, por udhërrëfyes, obligim, besë e dhënë se dallimet tona, të çfarëdo natyre, i tejkalojmë në tryezë duke biseduar, duke gjetur zgjidhje bashkërisht dhe duke marrë përgjegjësi për to”, ka përfunduar në deklaratën e saj, presidentja Jahjaga.

Sa i përket arsyes për mosardhjen e kryeministrit Mustafa në takim me Presidenten, ajo nuk është bërë e njohur por, javën e kaluar, kreu i qeverisë kosovare ishte takuar me presidenten Jahjaga për të biseduar lidhur me situatën e krijuar pas bllokimit të punës së Kuvendit dhe rrjedhimisht, punës së Qeverisë së Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button