La Liga 2015-2016, më e luftuara e 5 viteve të fundit

5 golat që Barcelona shënoi në portën e Rayo Vallecanos janë një sinjal jo vetëm për Realin e Madridit por për të gjithë kundështarët e kampionatit. Kampionët janë aty dhe nuk pranojnë të heqin dorë nga froni pa luftuar deri në fund të sezonit.

Goditjet që katalanasit kanë marrë deri tani e bëjnë edhe më interesant këtë sezon ku hyrja e dyshes Villarreal-Celta në garën e më të mirëve e rrit edhe më shumë konkurrencën, poir mbi të gjitha e bën La Ligan një kampionat të paparashikueshëm. Sevilla dhe Valencia nuk po gjejnë ritmin e zakonshëm por nëndetësja e verdhë dhe skuadra bardhkaltër nga Vigo i kanë bërë të harrohen shumë shpejt, pa llogaritur këtu edhe Atletico Madrid që mbetet një rrezik konstant për dy gjigandët, Real e Barcelona.

Edhe pse Jackson Martinez e Vietto nuk po japin ende atë që pritej prej tyre, “Los Colchoneros” mbeten një skuadër e rrezikshme dhe shumë e vështirë për t’u thyer. Këtë e provoi në kurriz Reali i Benitez që madje rrezikoi ta humbiste derbin e kryeqytetit në minutat e fundit.

Sipas mediave spanjolle, rritja e konkurrencës ka bërë që ky të jetë kampionati më i luftuar i 5 viteve të fundit. Sezonin e shkuar, në këtë pikë Barcelona kryesonte bindshëm, ndërsa dy sezone më parë situata ishte disi më ndryshe me katalanasit dhe Atleticon të shkëputura nga Reali. Një aspekt interesant është edhe loja që skuadrat kanë shfaqur në fushën e lojës me gola të shumtë dhe pak balancë në mesfushë. Këtë sezon të gjithë dinë të shënojnë, madje edhe gola spektakolarë. Reali i Madridit dhe Barcelona nuk kursehen ndaj kundërshtarëve, por katalanasit duket se kanë lëshuar terren në fazën mbrojtëse.

Treguesi më i qartë për këtë janë dy golat e pësuar nga një skuadër modeste si Rayo Vallecano në mitikun “Camp Nou”, ndërsa në “Bernabeu” edhe një skuadër si Malaga mund të luajë si e barabartë ndaj “Los Blancos”. Për momentin askush nuk mund të bëjë llogari sepse çështja e titullit mund të mbetet e hapur deri në fund. La Liga e sezonit aktual nuk jep pika referimi sepse të gjithë janë aty, për të shkaktuar surprizën e radhës./SS/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button