Besart Berisha në frymën e fundit, vulos derbin

Besart Berisha sërish vendimtar në Australi. Sulmuesi shqiptar shënoi golin e fitores në derbin e qytetit të Melbourne ku skuadra e tij siguroi fitoren e parë sezonale në kampionat në minutën e fundit të takimit.

Melbourne Victory që në javën e parë kishte siguruar një barazim, arriti të imponohej me një ndeshje spektakolare kundër kushërinjve të Melbourne City, duke u konfirmuar skuadra e momentit pas suksesit 3-2 në javën e dytë. Golin e parë për vendasit kampionë në fuqi e shënoi Ben Khalfalah në pjesën e parë, ndërsa Barbarouses dyfishoi në të dytën.

Ndeshja u bë edhe më e luftuar pasi City barazoi me dy gola të shpejtë në minutat 69 dhe 71. Besart Berisha mori për dore skuadrën e tij në minutën e fundit pas një topi të ardhur nga e majta e sulmit, duke e shtyrë në rrjetë për suksesin e parë sezonal të skuadrës së tij.

Goli i parë në kampionat konfirmon formën e mirë që po kalon bomberi shqiptar, i cili e mbylli sezonin e shkuar me 15 realizime personale, duke e ndihmuar Malbourne Victory të regjistronte titullin e tretë kampion në Kampionatin Australian ku 30 vjeçari ndodhet që prej vitit 2011, transmeton Supersport.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button