Mustafa: Qeveria e Kosovës e gatshme për dialog me opozitën, por nuk pranon ultimatume

Në mbledhjen e rregullt të kabinetit të Qeverisë, sot në mëngjes, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa ka shprehur gatishmërinë e koalicionit qeverisës që t’i diskutojë të gjitha çështjet kontestuese me opozitën, duke përfshirë edhe marrëveshjet e fundit në Bruksel si dhe Marrëveshjen për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi mirëpo, ai ka porositur se Qeveria asesi nuk parnon që kjo të bëhet me ultimatume dhe kërcënime, raporton Anadolu Agency.

Kryeministri Mustafa, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka deklaruar se i vjen keq për përsëritjen e pamjeve të dhunës në Kuvendin e Kosovës dhe hedhjen e gazit lotsjellës, me qëllim të bllokimit të punës së institucionit më të lartë ligjvënës në vend.

Lidhur me ngjarjet e fundit në Kuvend, kryeministri Isa Mustafa, tha se opozita po vepron në mënyrë të orkestruar me qëllim që të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, duke përdorur si shkas dhe për qëllime politike marrëveshjet e Brukselit.

Ai ka theksuar se Qeveria nuk do të tërhiqet nga marrëveshjet sepse ato janë në interes të qytetarëve të Kosovës.

Kryeministri Mustafa është shprehur i gatshëm që ekzekutivi t’i përgjigjet Kuvendit për punën e vet. Ai ka ripërsëritur gatishmërinë e tij personale dhe të tërë kabinetit qeveritar që të ballafaqohet dhe të debatojë lidhur me çfarëdo çështje, në çdo kohë dhe me të gjithë, por ka refuzuar ultimatumet dhe kërcënimet të cilat po vijnë nga tri partitë opozitare.

Për zgjedhjet të cilat po mundohet t’i imponojë opozita, Mustafa thotë se janë planifikuar më ndryshe nga ato të mëparshmet ngase, sipas tij opozita po mendon se mund t’ia imponojë vullnetin shumicës parlamentare duke përdorur gaz lotsjellës.

Lidhur me përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend, kreu i ekzekutivit ka kërkuar organet e sigurisë dhe të drejtësisë që t’i hetojnë dhe t’i ndriçojnë ngjarjet e fundit sepse, sipas tij, Kosova ka zgjedhur të jetë shtet ligjor ku zbatohet rendi dhe ligji, duke potencuar se Qeveria nuk do të zmbrapset nga kjo sepse “Kosova duhet të sillet si shtet”.

Duke e ripërsëritur thirrjen opozitës që t’i jep fund veprimeve bllokuese të Kuvendit, ai i ka ftuar përsëri Vetëvendosjen, AAK-në dhe Nismën që për çështjet kontestuese dhe Marrëveshjet e fundit në Bruksel dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të bisedojnë në Kuvend por, njëkohësisht ka deklaruar se partitë opozitare nuk kanë ofruar asnjë alternative për integrimin e serbëve të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.

Duhet theksuar se, mbledhja e sotme e Qeverisë së Kosovës është mbajtur me prezencë të shtuar të policisë jashtë ndërtesës qeveritare për shkak të zhvillimeve të fundit politike në vend, si dhe sulmeve të vazhdueshme me vezë të funksionarëve qeveritar nga ana e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button