Vajza e De Biasit: Në Evropian jam tifoze e Shqipërisë

Pasi Shqipëria u kualifikua, Gianni de Biasi pjesën personale të suksesit ia kushtoi familjes së tij. Bashkëshortja dhe vajza ishin sy e vesh nga Armenia ku heroi i tyre dërgonte ekipin e një shteti tjetër drejt historisë.

Në një intervistë ekskluzive për mad.al, Chiara Sofia, vajza 23 vjeçare e De Biasit, studente mjekësie në Trieste, ka treguar si e ka përjetuar ndeshjen e fundit, marrëdhënien me të atin dhe mbi të gjitha që në Evropian, edhe pse ajo dhe zemra e saj janë me Italinë, do të bëjë tifo për një kombëtare tjetër – Shqipërinë. Është kombëtarja që heroi i saj e ka ndihmuar shumë për ta çuar aty.

Si është të rritesh me Gianni-n si baba dhe cila është marrëdhënia juaj?

Të rritesha me babanë tim e konsideroj fat. Ai është një nga ato baballarë që çdokush do ta dëshironte, i dashur, i kujdesshëm dhe i gatshëm për çdo gjë. Një baba shumë mbrojtës ndaj familjes, aspak i bezdisshëm, por i gatshëm të bënte gjithçka për të më ndihmuar.

Në fëmijërinë time mbaj mend çdo të diel (e cila ishte e vetmja ditë që mund ta shihja gjatë pasi skuadra e tij nuk bënte stërvitje) ai i dedikohej familjes, mua dhe mamasë. Më kujtohen shëtitjet e gjata në kodrat e Molinetto della Corda ku shpesh herë merrnim edhe ski-lift.

Kujtimet e para nga babai i kam kur më lexonte përrallat çdo nate para se të flija. Tani jam 23 vjeçe dhe sigurisht që përralla nuk më lexon më.

Tani që jam rritur diskutojmë tema më të rëndësishme së bashku: flasim për studimet e mia, për lidhjet që mund të kem (këtu e ruaj pak veten), etj. Në fakt, edhe pse unë dhe babai nuk jemi persona që na pëlqen shumë të flasim kur jemi bashkë, shpeshherë plas e qeshura. Dhe duhet ta them: Babi ka një humor shume të spikatur!

Cila është marrëdhënia jote me futbollin?

Që e vogël kam qenë tifoze e Milanit edhe pse në të vërtetë bëja tifo për skuadrën që babai im ishte trajner. Në fakt, tani jam akoma kuqezi dhe jo për Milanin sigurisht, tani bëj tifo për Shqipërinë.

Ku e pe ndeshjen?

Ndeshjen e ndoqa në Trieste, ku për momentin studioj në vitin e pestë për mjekësi dhe kirurgji dhe ku kaloj pjesën më të madhe të vitit. Kthehem në Conegliano shpesh për të parë prindërit dhe shoqërinë time të dashur. Kisha mbledhur miqtë e mi më të mirë në shtëpinë time. Në fakt gjithë kohën isha duke biseduar dhe komentuar me mesazhe me mamin e cila ishte në shtëpi vetëm. Menjëherë pas ndeshjes i kam shkruar babit për ta uruar atë dhe këtë skuadër të madhe si Shqipëria. Ai më telefonoi pas pak minutash, ishte tepër i gëzuar dhe i emocionuar. Më tha se për të ishte suksesi më i madh që ka arritur në karrierën e tij. Më vonë më nisi një video ku shihej ai, stafi dhe lojtarët duke festuar për fitoren. E pa imagjinueshme! Kam qarë nga gëzimi për të…

Sa krenare ndihesh për këtë rezultat pjesë e rëndësishme e të cilit është edhe babai yt?

Jam tepër e lumtur për këtë që ai arriti te bëjë së bashku me djemtë e kombëtares. Ai e ka besuar këtë ëndërr që në nisje. Kishte një qëllim dhe bëri të pamundurën që ta realizonte.

Jam tepër krenare për të dhe jam tepër e lumtur që Shqipëria arriti të kualifikohej për të parën herë në Kampionatin Europian.

A e ke parë babin të qajë ndonjëherë tjetër për ndonjë sukses të arritur, përvec atij të një natë më parë?

E kam parë babin të qajë kur ka arritur të dërgoj Torinon në Serie A me Urbano Cairo-n, një arritje e madhe brenda vetëm një viti që ai drejtonte këtë skuadër. Megjithatë besoj që një emocion si ai i mbrëmshmi ai nuk e ka provuar kurrë, të paktën në aspektin profesional.

Tani Gianni është një hero në Shqipëri, a mendon se ky vlerësim i rëndon më shumë se sa thjesht detyra e një trajneri?

Besoj që puna e babait tim nuk është një punë e zakonshme, është një punë që të ekspozon shumë ku një ditë mund të jesh në majë të dallgëve e një ditë të fundosesh. Jam e sigurt qe ai do të dijë ta menaxhojë në mënyrën më të mirë këtë sfidë që ka përpara duke u përqendruar në objektivin final, duke dhënë maksimumin si trajner dhe duke i dhënë peshën e duhur çdo presioni të jashtëm, qoftë ky pozitiv apo negativ.

Cila do të jetë këtë Europian skuadra për të cilën do të bësh tifo?

Edhe pse zemra ime i përket Italisë, më duhet të pranoj që do të bëj tifo për Shqipërine! Forca Shqipëria!

 

Lajme të ngjashme

Back to top button