Kryetari i BFI-së, ef. Rerxhepi, i uron muslimanët me rastin e vitit të ri hixhri 1437

 

Reisul ulema h. ef. Sulejman Rexhepi i ka uruar të gjithë besimtarët e besimit islam me rastin e vitit të ri islam, sipas kalendarit islamik 1437.

“Sot festojmë vitin e ri mysliman të Hixhretit 1437, gjegjësisht kujtojmë hixhretin e Resulullahit a.s nga Meka në Medine në vitin 622. Të nderuar besimtarë! Libri ynë i shenjtë është përplot me ngjarje e ndodhi, që nga njeriu i parë Ademi a.s. dhe deri te ngjarjet që kanë ndodhur në kohën e Shpalljes, në kohën e Resulullahit s.a.v.s. Vetë Allahu xh. Sh. Na i përkujton ngjarjet e mëdha për mbarë njerëzimin. Pra, edhe ne, myslimanët, obligohemi që përjetë t’i përkujtojmë këto ndodhi. Pa dyshim, një nga ndodhitë më të rëndësishme është hixhreti i Muhamedit a.s., është momenti kur do të fillojnë të hidhen bazat e fesë islame, të ngriten shtyllat kryesore të besimit të kësaj feje madhështore. Hixhreti na mëson se besimtarët e drejtë dhe të devotshëm janë të gatshëm që për hirë të së vërtetës dhe besimit, për hirë të Fjalës së Shenjtë, të sakrifikohen dhe të bëjnë hixhret. Secili individ dhe secila shoqëri ka edhe hixhretin e vet. Hixhret bëjnë edhe ata të cilët për hirë të së mirës së përgjithshme, heqin dorë nga e keqja, e luftojnë të keqen dhe ikin prej saj duke u dhënë pas së mirës, pas veprave të mira, duke iu ofruar Allahu Fuqiplotë. Kështu na mëson edhe vetë Muhamed Mustafaja  s. a.v.s. duke thënë : “Muhaxhir është ai i cili largohet nga ato gjëra që i ndaloi  Zotit”. Dhashtë Zoti që përjetë qofshim në Rrugën e Tij, në hixhret drejt të mirave, drejt hallallit, drejt Kënaqësisë së Krijuesit tonë. Uroj që në këtë vit të ri të jemi edhe më të dobishëm, më bujarë e më fisnikë, më besimtarë e më të devotshëm, sepse kështu do të jemi më të dashur për njëri tjetrin dhe më afër Allahut xh.sh. Lusim Allahun xh.sh që ky viti i ri – Hixhri 1437 të jetë viti i paqes, i begatisë, dashurisë e tolerancës për mbarë njerëzimin”, thuhet në urimin e reisul ulema, h. ef. Sulejman Rexhepi.

Lajme të ngjashme

Back to top button