Kumanovë: 11 automjete të djegura, u arrestua 1 person i dyshuar (FOTO+VIDEO)

Mbrëmë në Kumanovë u dogjën 11 vetura dhe u arrestua 1 person i dyshuar,  konfirmon SPB Kumanovë. Kjo ngjarje shkaktoi panik te qytetarët, të cilët për Portalb e shprehën pasigurinë që e ndjejnë.

Xhemile Shabedini, banore e lagjes “Orta bunar” rrëfen për Portalb tmerrin e natës së fundit: “Ishte ora 12:30 kur u dëgjuan të krisura dhe menjëherë dola në dritare. Edhe fqinjët nga dritarja donin të shihnin se çfarë po ndodhte aty poshtë. Pamë flakë. Artani, djali i vëllaut tim u tmerrua kur e pa se po i digjej vetura për të cilën kishte punuar 10 vite. Ai është shef i komunikacionit të ndërrimit dhe të gjithë e njohin si njeri të mirë, askujt si ka bërë të keqe në jetë. Po edhe në lagje kemi jetuar të qetë, asnjëherë nuk kemi pasur probleme. Por që nga ngjarja e 9 Majit duket sikur më nuk mund të jemi të sigurt. Deri në mëngjes kemi qëndruar jashtë.” “Natën që fitoi Shqipëria tërë natën të rinjtë kanë festuar dhe kanë bërë shumë zhurmë. Mendoj se kjo mund të jetë ndonjë hakmarrje.”– tha ajo.

Pamje të veturës së djegur bashkë me deklaratën e banorit, Adem Ibrahimi mund ta ndiqni në videon e mëposhtme:

Remzie Bilalli sqaroi: “Mbrëmë rreth orës 24 u dëgjuan disa të krisura nëpër dyer, kështu thonë edhe disa fqinjë. Dëgjuam disa zëra, por menduam mos ishte ndonjë grup hajdutësh. Ndërsa nga jashtë pamë se tre a katër vetua po digjeshin, të gjitha njëkohësisht. Dyshojmë se kjo që ndodhi ishte e organizuar nga grup individësh, të cilët pastaj tentuan të ikin nga kjo pjesë e tunelit të ndërtesës, nga e cila mund të dilet në anë të ndryshme. Menjëherë bërtita dhe e thirra një polic që ndodhej këtu pranë, por ai vetëm pasi e piu cigaren më pyeti se për çfarë po e thërrisja. Besoj se personat mund të identifikohen lehtë, pasiqë përreth ka kamera.” Ajo poashtu shprehu dyshimin se motivi i kësaj ngjarje mund të ishte hakmarrje, për festën që shqiptarët e bënë kur Shqipëria fitoi ndeshjen e futbollit kundër Armenisë.

“Si banorë të kësaj lagje, prej sot e tutje më nuk ndjehemi të sigurt që t’i lëmë veturat as pranë vendbanimit tonë, sepse po jetojmë në një shtet të pasigurt. Kumanova është pikë kryesore, ku po ndodhin të gjitha aksidentet kohën e fundit: pa pasur nevojë, veturat po digjen. Nuk po e dijmë se çfarë është duke ndodhur, ku është problemi!”-deklaroi Advan Ibrahimi për Portalb.

1

Për Portalb në emër të sigurimit të spitalit të Kumanovës, foli Xhemaledin Musliu “Në ora 3:00 pas mesnate u dogjën 3 vetura, kolegët e ndërrimit fillimisht e kanë kapur një person, të cilin ia kanë dorëzuar policisë. Te ky person u vërtetua 2,9 profili i alkoolit. Ndërkohë e kanë lajmëruar zjarrëfikësin, të cilët e fikën zjarrin nëpër vetura. Dy mund t’i shihni, ndërsa 1 e kanë larguar, pasi nuk ishte djegur shumë.”

Nga SPB Kumanovë për press konfirmuan: “Në periudhën kohore prej 23:30 deri në ora 00:45 pas mesnate, në katër lokacione në qytetin e Kumanovës u dogjën gjithsej 11 automjete. Djegiet ndodhën: në rrugën “Pionerska” ku u dogjën 4 automjete; në rr. “Dimitrija Miceviq” poashtu u dogjën 4 automjete; në rr.”11 Tetori”, më saktësisht në rrethin e spitalit të Kumanovës 2 automjete dhe në rr. “Goce Dellçev”, në parkingun para hotelit “Kristal” u dogj 1 automjet. Nga masat operative të ndërmarra nga shërbimet policore të SPB Kumanovë menjëherë pas ngjarjes së fundit është arrestuar një person i dyshuar dhe me të njejtin po punohet, që të vërtetohen motivet pse është bërë e gjithë kjo dhe për zbardhjen e tërësishme të rastit.”

2

Dy prej veturave të djegura janë në pronësi të policëve. Përndryshe shumë prej 11 veturave janë plotësisht të djegura, ndërsa pjesa tjetër kanë pësuar dëme materiale të mëdha, disa dëme më të vogla. Megjithatë nuk dihet akoma nëse përveç veturave ka dëme materiale nëpër objekte tjera. Nga SPB Kumanovë shprehen se derisa hetimi po vazhdon nuk mund të japin asnjë të dhënë tjetër,  porse i dyshuari është i njohur për policinë si kryerës i mëhershëm i veprave penale./Portalb.mk

 

 

3

4

5

6

7

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button