Adili: “Uniteti” do të ketë mision që shqiptarëve t’ua heqë frikën

Partia “Uniteti”, si subjekt i ri politik në Maqedoni, është formuar për të realizuar konceptin e një barabarësie të plotë qytetare. Kështu ka deklaruar deputeti Zulfi Adili në emisionin “10 minuta” të TV21. Ideja e kësaj partie, siç u shpreh ai, është për ta përmbysur regjimin që ka kapluar Maqedoninë.

“Ideja e partisë “Uniteti” është që ta përmbysë këtë regjim, gjegjësisht këtë pushtet, duke përfshirë edhe Bashkimin Demokratik për Integrim”, theksoi Adili.

Përplasjet mes Adilit dhe BDI-së filluan para disa muajve. Për pakënaqësitë lidhur me politikën kadrovike të BDI-së, ish komandanti i UÇK-së tha se kjo parti erdhi në një pozitë absurde, që të vriten njerëz për një pozitë të kryetari të degës. “Njerëzit, të cilët në fakt e ngulfatën politikën, gjegjësisht votuesin shqiptar, ata arritën që të vijë BDI-ja deri në një situatë, kur është gati se absurd ose e pamundur, që për një pozitë të kryetari të degës të vritet njeri”, potencoi ai.

Adili hodhi poshtë të gjitha spekulimet rreth asaj se “Uniteti” ka dalë në skenë sikur opozitë e rrejshme e krijuar nga BDI për të amortizuar pakënaqësinë opozitare në ngritje te shqiptarët.”Janë spekulime klasike , se nuk do të kishte kuptim, të ndodhte një lojë e tillë. Për mendimin tim – jo korrekte dhe jo reale, pasi që edhe unë, edhe gjeneral Ostreni si kryetar i Unitetit, kemi qenë themelues të BDI dhe UÇK. Nuk do ishte korrekte që ta mashtronim opinionin, popullsinë”, shpjegoi ai.

Sipas Adilit, “Uniteti” do të ketë mision që shqiptarëve t’ua heqë frikën, që ata t’i shprehin hapur padrejtësitë që po u bëhen. Sipas tij, Uniteti do të kërkojë barabarësinë e qytetarëve me Kushtetutë, decentralizimin, dhe përdorimin adekuat të gjuhës.

Lajme të ngjashme

Back to top button