Sabriu dhe Ermali bashkohen për këngën e re (Video)

Është pa pikë dyshimi njëri ndër personazhet që ka lënë gjurmë të thella në muzikën shqiptare. Nuk është e nevojshme të flitet shumë për të pasi mjafton vetëm t’ia përmendim emrin dhe kjo shpjegon gjithçka.

Për vjet të tëra muzika e tij i ka mbijetuar kohës dhe kështu, Sabri Fejzullahu është në zemrat e gjithë publikut shqiptar, jo vetëm në Kosovë.

Te mosha nuk do të duhej të ndaleshim fare, pasi, si duket, vitet për të janë thjesht numra që nuk po i ndjen fare.

Ndonëse ka hyrë në të gjashtëdhjetat, Fejzullahu vazhdon të qëndrojë si në kohën kur i ka kënduar Prishtinës, shiut e dashurisë shumë vjet më parë.

E dashurisë, Sabri Fejzullahu i këndon edhe në projektin e tij të ri me titull “Nostalgji”, këngë kjo e cila na vjen në bashkëpunim me birin e tij, këngëtarin po ashtu shumë të dashur për publikun, Ermal Fejzullahun.

Ndonëse edhe Ermali ka vjet që është pjesë e skenës muzikore, babë e bir vetëm tani vendosën të sjellin diçka të përbashkët.

Me kompozim dhe orkestrim të Virusit, tekstin e kësaj kënge e ka shkruar Arsim Bunjaku, derisa realizimi i saj ka zgjatur më shumë se 4 muaj.

Videoklipi i këngës është realizuar në Shqipëri nga produksioni Provideo. Kjo është hera e parë që Fejzullahu ka bashkëpunuar me këtë produksion.

Përveç këtij projekti, për emisionin “Express” të KTV-së Sabri Fejzullahu është duke punuar edhe në disa projekte të tjera, të cilat pritet të publikohen deri në fund të vitit.

E krahas gjithë kësaj, këngëtari është duke qenë aktiv edhe me mbrëmje muzikore. Fejzullahu vazhdon të qëndrojë ndër të parët e edhe publiku që e përcjell çdo herë është në numër të lartë.

Por, përveç këngës në këtë bisedë, nuk kishim se si të mos ndaleshim edhe të futbolli, në veçanti te ndeshja Shqipëri-Serbi, që u zhvillua mbrëmë në Elbasan. Ai thotë se po mos të ishte bërë këngëtar, pa pikë dyshimi do të ishte bërë futbollist, derisa humbjen e kombëtares e komentoi kështu….

Dashuria e madhe e publikut, Sabri Fejzullahun e ka mbajtur kaq gjatë në skenë dhe ndaj të cilëve ndihet falënderues tërë jetën. Ai u shpreh se deri në frymën e tij të fundit do të jetë krah tyre.

Ky projekt i përbashkët në mes Sabri dhe Ermal Fejzullahut është pritur që një kohë të gjatë nga adhuruesit e muzikës së tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button