Maqedoni, alarmante dukuria e fëmijëve që shfrytëzohen

Dukuria e keqpërdorimit të mundit të fëmijëve, dita-ditës bëhet edhe më shqetësuese. Në çdo kohë, në çdo vend të Maqedonisë, mund të hasim në fëmijë të mitur që shesin nëpër rrugë. Gjendja është ende më alarmante, për faktin që kjo dukuri është e ndaluar me ligj, ndërkaq shteti nuk merr masa konkrete për parandalimin e saj.

Drejtori dhe themeluesi i Ambasadës së parë në botë për fëmijët “Megjashi”, Dragi Zmijanac, thotë se statistikat janë ndoshta edhe më të alarmante se sa ne e dimë.

Fëmijët që shesin në rrugë“Njohuritë kanë treguar që njerëzit që punojnë në moshë më të pjekur, janë më të suksesshëm në jetë, ndërkaq ata që punojnë në fëmijëri, zakonisht përfundojnë si raste sociale dhe e zbrazin ekonomikë nacionale. Edhe pse Maqedonia para 6 viteve e ka ratifikuar Konventën kundër keqpërdorimit të punës së fëmijëve, gjendja edhe më tej është alarmante. Më shumë se 18.000 fëmijë nuk janë të kyçur në sistemin për arsimim, ndërkaq më së paku 1.000 fëmijë e kalojnë fëmijërinë e tyre në rrugë, duke jetuar nën qiell të hapur dhe pa mbikëqyrje dhe kujdes prindëror. Fëmijët në Maqedoni janë kudo, dhe janë nga të gjitha moshat dhe kombësitë, por më së shumti janë fëmijët rom – 58%. Gjithashtu, është shqetësuese se 15% nga fëmijët në rrugë janë të moshës parashkollore, 64% janë në moshë prej 7-14 vjeç, 88% manifestojnë sjellje të papranueshme sociale, ndërkaq 11.5% kanë sjellje të tolerueshme sociale (statistikat janë të siguruara nga Departamenti i Çështjeve Sociale në Shkup)”, thotë për Portalb Zmijanac.

Psikologia Engjëllushe Limani, çështjen në fjalë e përshkruan shqetësuese dhe negative, ajo thekson se këta fëmijë shpeshherë janë objekt i dhunës, ndërkaq pasojat ndikojnë negativisht në psikikën e tyre.

“Mosha fëmijërore është ajo që ata duhet të përgatiten për të hyrë në botën e të rriturve dhe assesi të eksploatohen. Shpeshherë për shkak të gjendjes sociale, një pjesë e fëmijëve janë të detyruar që të dalin dhe ta ofrojnë punën e tyre, gjë që ndikon në lënien pas dore të ndjekjes së mësimeve apo shkollimit. Rreziqet janë shumë të mëdha, për faktin se fëmijët nuk janë të përgatitur që të ballafaqohen me rreziqet e rrugës, në bazë të statistikave, këta fëmijë zakonisht dhunohen fizikisht, malltretohen, por shpeshherë ka raste edhe kur dhunohen seksualisht. Sa i takon zhvillimit psikik, kjo dukuri ndikon shumë negativisht te këta fëmijë. Ata në disa sfera të zhvillimit piqen shumë më herët; janë shumë inteligjent dhe të gjindshëm e kanë inteligjencën e rrugës; por fare nuk e zhvillojnë aftësinë për të mësuar në shkollë dhe për t’i thithur normat e jetës normale. Ky brumë i fëmijëve, sipas hulumtimeve, bëhen kandidatë potencial për të kaluar në delikuencë”, thotë për Portalb psikologia Engjëllushe Limani.

Situata dita-ditës po merr përmasa më të mëdha, parandalimi i kësaj dukurie nga ana e shtetit me anë të masave të duhura, është më se e nevojshme që të bëhet një ditë e më herët..

“Qeveria e Maqedonisë duhet të ndërtojë strategji për mirëmbajtjen e familjeve të varfra. Lufta kundër punës së fëmijëve është ngushtë e lidhur edhe me kyçjen e fëmijëve në arsim. Punësimi i të paktën një anëtari të këtyre familjeve dhe sigurimi i çfarëdo çatie mbi kokë, mundet të jetë një ndër vendimet kryesore”, thotë për Portalb Zmijanac.

Ekspertët vlerësojnë se duhet të punohet më shumë në këtë fushë të rëndësishme për shoqërinë, që në mënyrë më aktive, shteti, shoqëria dhe veçmas OJQ-të, të hartojnë projekte dhe të ndërmarrin aktivitete për parandalimin e kësaj dukurie negative.

“Ndër masat preventive për parandalimin e delikuencës, është që për këta fëmijë të kujdeset shteti dhe shoqëria, por jo vetëm kaq, duhet edhe OJQ-të të ndërmarrin aktivitete më të shumta dhe të hartohen projekte për sensibilizimin e popullatës në lidhje me dëmin që mund të sjellë kjo dukuri “domino efekt”, në të gjitha sferat e shoqërisë”, thotë për Portalb psikologia Engjëllushe Limani.

Ndalimi i shfrytëzimit të punës së fëmijëve është i ratifikuar me Ligjin nr.8774, më datë 23.4.2001 “”Për ratifikimin e “Konventës nr.182 “Format më të këqija të punës së fëmijëve, 1999” Të Organizatës Ndërkombëtarë të Punës”, fëmijët mbrohen me 16 nene që të mos shfrytëzohet mundi i tyre, ndërkaq çdo shtet që është pjesë e kësaj Konvente, ashtu siç është Maqedonia, i ka 3 obligime kryesore ndaj kësaj:

  • Obligim i shtetit është të bëjë, që të drejtat e përmbajtura në këtë Konventë të jenë më gjerë të njohura për të rriturit dhe fëmijët.
  • Organet shtetërore janë për ta deklaruar gjendjen e të drejtave të fëmijëve.
  • Organet shtetërore e përvetësojnë konventën, duke e informuar Komitetin për të Drejtat e Fëmijëve dy vjet pas ratifikimit dhe pesë vjet pastaj.

Redaksia jonë, disa herë ka tentuar që të kontaktojë me sektorin për mbrojtjen e fëmijëve të Ministrisë për Punë dhe Politikë Sociale, në kuadër të së cilës janë 3 departamente, por nga asnjëri departament nuk kanë qenë të kapshëm. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button