Elbasan Arena, serviliteti ishte arsyeja që humbëm

Thashë të kërkoj emra origjinalë ilirë se ju duheshin disa miqve të mij që po presin djalin e parë dhe morra të lexoj Historinë e Popullit Shqiptar, botimi i tretë i vitit 1979. Kërshëria më ndjelli të vazhdoj përtej kërkimit të emrave. Ajo që e kupton është që populli shqiptar është një popull i cili ka mbijetuar shumë. Nuk e them këtë me retorikën e zakonshme romantike e cila kënaq dëshirën tonë për vetëkënaqje në mizorinë dhe vuajtjen tonë historike. Nuk e them as me dëshirën për të masturbuar me ndjenjën e përdëllimit kombëtar. Por e them, nisur nga evidenca e fakteve, që shqiptarët gjithmonë kanë humbur nga vetvetja për t’ju adoptuar pushtuesve të huaj. Nga grekët dhe romakët humbëm origjinalitetin e kulturës, nga sllavët humbëm territor dhe u asimiluam në masë të madhe, nga turqit asimiluam fenë dhe në pjesë të madhe kulturën, nga sllavët sërish – të njejtën histori. Një përsëritje e vazhdueshme e vesit, shenjë e keqe për një komb i cili duket që në karakterin e vet përvec këtij vesi ka edhe një servilitet të fuqishëm.

Doli që shkaku i këtyre veseve, kombëtarja humbi në Elbasan. Në qytetin i cili ka qenë pika më jugore e pretendimeve serbe në tokat shqiptare. Kësaj rradhe e tepruam me servilitetin tonë ndaj të gjithëve, gjë që influencoi keq në aspektin mental me të cilën djemtë tanë e përgatitën këtë ndeshje.

Atmosferën me të cilën u prit ndeshja (e shekullit) ishte duale, apo më mirë triale. Në njërën anë ke një popull të tërë të mobilizuar emocionalisht, i etshëm për fitore dhe për të mundur armiqtë shekullorë tanë, serbët të cilët i perceptojmë si mishërimi i të keqes sonë historike kombëtare. Një publik i gatshëm për të shfryrë gjithë vnerin, frustrimin dhe hidhërimin e akumuar të gjeneratave të kaluara dhe të tanishme. Nga ana tjetër ke një klasë elitare dhe politike, e cila duke iu servilizuar tri grackave psikologjike të vetëkrijuara tentoi të shuajë këtë atmosferë popullore për shfryrje që secili prej nesh e kishte ëndërruar. Tri shtyllat e servilitetit janë: poltronizmi ndaj krijimit të idesë tek ndërkombëtarët se populli shqiptar është tolerant në të gjitha aspektet në kuadër të përfitimeve politike dhe ekonomike; dëshira e tepruar, ndoshta mania që t’ju tregohet serbëve që ne, për dallim nga ata jemi të civilizuar dhe si të tillë duhet të na pranojnë, jo më me derogatorin “shiptari” por si “albanci”; dhe shtylla e tretë, që shqiptarët janë mikpritësit më të mirë të faqes së kësaj toke. *ADDENDUM: nuk kam asgjë kundër asnjërit prej elementëve, fundja janë sende që na bëjnë shqiptarë: të premten në mëngjes edhe unë kisha dozë krenarie lidhur me këtë dozë supremacie civilizuese që ke mbi “kundërshtarin” tënd. Më tmerroi që të shtunën e kuptova që serviliteti ishte arsyeja pse e humbëm ndeshjen.

Ndërkaq në fushë ishin 11 lojtarë të udhëhequr nga një trajner i huaj i cili nuk kupton dot mentalitetin dual të asaj që e rrethon atë dhe lojtarët e tij. Ata lojtarë që të vetmen gjë që duan dhe duhet ta dijnë është të luajnë top dhe të japin më shumë gola sesa kundërshtari. Lojtarë të cilëve nuk ju nevojitet ngarkesa psikologjike e një populli të tërë, e një historie të tërë. Kush është marrë me sport e din që një ngarkesë e tillë e panevojshme psikologjike është pengesë për arritjen e maksimumit të shprehjes sportive. Askush nuk e mban dot një popull përmbi krahë; neve jua detyruam dhe obliguam historinë dhe përdëllimin tonë një grupi sportistësh. Atyre ju nevojitej fitorja për të kualifikuar Kombëtaren në një kampionat të madh. Jo të tregohen Herkulesa e të mbajnë përmbi krahë një komb të tërë. Ishte aspekti psikologjik, ajo që anglezët e quajnë mind games ajo që na humbi ndeshjen.

Suksese Kombëtares në ndeshjen e të dielës, uroj të zgjohemi të hënën plot krenari që verën e 2016 do ta kalojmë në Francë – të paktën me zemër!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button