Shqipëri-Serbi, ja si do të jetë dekori i stadiumit
Një ditë para ndeshjes së shumëpritur Shqipëri-Serbi, stafi i organizimit të dekorit të stadiumit “Elbasan Arena”, bën me dije disa detaje të ceremonisë së fillimit të ndeshjes.
Në çdo stol do të ketë nga një plis dhe nga një flamur kombëtar. Gjithashtu në qendër të stadiumit do të shpaloset një shqiponjë e madhe ndërsa anash do të ketë yje të verdhë që simbolizojnë Bashkimin Evropian.
Edhe tifozët kuqezi kanë marrë masa për të bërë spektakël në stadium. Ata kanë marrë leje për të futur në stadium një flamur gjigant kuqezi, që do të shpaloset në pjesën ku do të qëndrojnë 2100 tifozë.
Në stadium do të jenë edhe 70 studentë serbë që kanë mbërritur për të parë ndeshjen nga dje. Ata kanë qëndruar në shtëpitë e studentëve shqiptarë mbrëmjen e djeshme, kanë fjetur në shtëpitë e tyre, dhe pritet ta bëjnë dhe sot.