250 infermierë shqiptarë punësohen në Gjermani

Nga 1300 aplikantë janë përzgjedhur vetëm 250, të cilët si fillim do të trajnohen për sa i përket gjuhës gjermane, e pastaj do të iki nëpër klinikat gjermane

Rreth 250 infermierë nga Shqipëria do të punësohen nëpër spitalet dhe klinikat gjermane gjatë vitit të ardhshëm. Ata, nga dita e hënë (dje) kanë nisur një trajnim për gjuhë, që do të zgjasë deri në një vit, ndërsa pas aftësimit ato do të ikin në Gjermani, shteti që ka deficit të kategorive të veçanta profesionale.

Nga 1300 aplikantë janë përzgjedhur vetëm 250, të cilët si fillim do të trajnohen për sa i përket gjuhës gjermane, por edhe për profilin e tyre me kurse dhe seminare të infermierisë, raporton “Shekulli”.

Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë që rekruton dhe trajnon këta profesionistë, Dietmar Metzger tregon se pas selektimit të emrave, rruga drejt Gjermanisë mbetet sërish e hapur, për sa kohë që shteti gjerman mirëpret profesionistë të ligjshëm të infermierisë.

“Kompania do të rekrutojë të rinj dhe punonjëse me përvojë, për sa kohë që ekziston interesi i ndërsjellë mes dy vendeve dhe kërkesat janë të larta. Tashmë kemi përzgjedhur 200-250 të rinj, të cilët i plotësojnë kriteret dhe do të vijojmë më tej. Kjo nuk është një listë e mbyllur dhe përfundimtare, pasi parashikojmë që në një të ardhme të afërt këtë numër ta dyfishojmë, madje të arrijmë deri atje sa të rekrutojmë deri në 1000 infermierë në vit”, tregon Metzger.

Duke iu referuar institucionit dhe besueshmërisë që kanë infermierët, ai thotë se ekziston një certifikatë dhe një bashkëpunim mjaft i mirë, “me të cilën ne përzgjedhim më të mirët, dhe pas trajnimit, japim mundësinë e firmosjes së kontratave me të rinjtë shqiptarë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button