Ditmir Bushati vizitë në Marok: Ç`kërkoi në vendin që është prodhuesi më i madh në botë i kanabisit?!

Ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, ka zhvilluar një vizitë në Marok, ku sipas njoftimit të MPJ ka zhvilluar një gamë të gjerë takimesh, madje ka firmosur edhe ndonjë memorandum, transmeton TeSheshi.

Në fakt, vizitat janë punë rutinë e shefit të diplomacisë dhe e Ministrisë së Jashtme, por tërheq vëmendjen në këtë rast pikërisht Maroku si një vend që është larg Shqipërisë, ka të përbashkëta “lagjen” nga Mesdheu në nisma ku bëjnë pjesë dhe dy vendet, por edhe fakti që, edhe Maroku po ashtu si Shqipëria ka një shumicë të popullsisë myslimane dhe njihet për bashkëjetesën fetare, pasi në atë vend jeton një numër i konsiderueshëm popullsie hebreje.

Megjithatë, rëndësia që autoritetet marokene i kanë kushtuar vizitës së ministrit shqiptar nuk është e zakontë.

Sipas njoftimit të MPJ-së, Bushati, përveç takimit me homologun Salaheddine Mezouar, është pritur nga Kryeministri, Abdelillah Benkirane, kreu i parlamentit, ministra të ndryshëm, kryetarë komisionesh dhe drejtues të organizatave të investitorëve, ndërmjet të cilave Presidenten e Konfederatës së Përgjithshme të Sipërmarrjeve të Marokut, Miriem Bensalah- Chaqroun.

Ministri Bushati theksoi se “Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s vlerëson bashkëpunimin e Marokut me aleancën dhe rolin dinamik në Mesdhe në përballimin e sfidave të sigurisë që përbëjnë shqetësim për të gjithë ne dhe për arkitekturën e sigurisë evropiane”.

Të dy ministrat shprehën nevojën për një bashkëpunim më solid në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Palët vlerësuan bashkëpunimin shumë të mirë në planin shumëpalësh dhe shkëmbimin e mbështetjeve reciproke.

Normalisht, në takim Bushati ka bërë edhe lobim për njohjen e shtetit të Kosovës dhe pranimin në UNESCO. Por prapë lë në dyshim pse një vizitë kaq e rëndësishme kur lobimin shefi i diplomacisë shqiptare mund ta bënte në suazat e takimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së ku qëndroi për disa javë.

Po atëherë pse kjo vizitë?!

Një frazë e njoftimit për shtyp, duket se rreket të sqarojë diçka.

“Të dy Ministrat shprehën nevojën për zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën tregtare, bujqësore dhe turizmit”.

Në fund të takimit, palët nënshkruan Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Marokut, për Shmangien e Taksimit të Dyfishtë si dhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për Mbajtësit e Pasaportave Diplomatike dhe të Shërbimit.

Kanabisi

Maroku është një vend me 12 milionë banorë, kryesisht bujqësor e blektoral, por vitet e fundit ka një rritje të ekonomisë dhe ulje të emigracionit. Sipas OKB-së, Maroku është prodhuesi më i madh në botë i kultivimit dhe prodhimit të Canabis Sativa, e njohur si hashashi. Siç mësohet, gjatë vizitës së Edi Ramës në OKB është biseduar nisja e një program të mbështetur nga OKB-ja dhe Banka Botërore për të ndihmuar vendet që janë apo kanë qenë kultivues të narkotikëve, me programe zhvillimi e investime.

Dhe pikërisht, mësohet se vizita e Bushatit këtu konsistonte, pasi Maroku ka nisur një program të tillë i cili pritet të zgjerohet edhe më tej në nivelin global dhe për këtë ka pasur nisma nën patronazhin e SHBA dhe OKB-së.

Madje këshilltari i qeverisë shqiptare, ish-kryeministri britanik, Tony Blair, pritet të organizojë një samit ndërkombëtar me vendet që njihen si kultivues narkotikësh të cilët do të mbështeten me programe zhvillimi dhe investime kryesisht për bujqësinë dhe industrinë ushqimore.

Lajme të ngjashme

Back to top button