Prishtinë, studentët protestojnë, përplasen me policinë

Protesta e studentëve para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës është tensionuar dhe erdhi deri tek një konfrontim ndërmjet tyre dhe policisë, në momentin kur studentët tentuan të hynë me dhunë në Rektorat, raporton Anadolu Agency (AA).

Në protestën e organizuar nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, para Rektoratit janë tubuar disa qindra studentë të cilët po kërkojnë kushte më të mira për studime, ngritjen e nivelit të vlerësimit, kthimin e afateve të provimit në nëntor dhe prill, si dhe heqjen e ndikimit të politikës nga Universiteti.

Kryetari i Parlamentit Studentor Egzon Daku, duke iu drejtuar studentëve të pranishëm ka thënë se protesta e sotme nuk është e drejtuar kundër rektorit, dekanëve apo individëve por është protestë për bursa dinjitoze, vlerësim objektiv, kundër nepotizmit dhe politikës në Universitet.

“Rritni kriteret dhe rritni mundësitë, nëse nga ne kërkohet t’i rrisim kriteret atëherë le të rriten edhe mundësitë tona për laboratorë, për biblioteka, për libra, cilat janë kriteret themelore për me mësua dhe këtë po na mohojnë” tha Daka.

Ai porositi se protesta bëhet kundër tërë sistemit të instaluar në Universitet, që ka sjell deri tek degradimi i tij.

“Një parullë këtu thotë ‘Mos ma vlerëso trupin po vlerësoje trurin’. Cili prej jush këtu nuk është për t’i përjashtuar maniakët e seksit të instaluar në Universitetin e Prishtinës…( studentët brohorasin)…” ka pyetur Daka.

Duke i numëruar kërkesat e studentëve, senatori Rifat Krasniqi deklaroi se duhet respektuar Sistemin e Bolonjës për regjistrim në fakultete, vitin e ardhshëm.

“Arsyeja e tjetër e protestës tonë është edhe injorimi i kërkesave tona të cilat i kemi bërë qe një vit, nga ky menaxhment, mohimi i fjalës në Senatin e Universitetit të Prishtinës. Sot, masa e juaj tregon për kërkesat e juaja të cilat duhet të realizohen sa më shpejtë. Ne do të qëndrojmë deri në fund, pas kërkesave tona” tha Krasniqi.

Pas fjalimeve të përfaqësuesve të studentëve, pjesëmarrësit e protestës tentuan që me dhunë të futen në ambientet e Rektoratit, në çka ka reaguar policia dhe me këtë rast erdhi deri tek konfrontimi. Ndërkohë, nga ndërtesa e Rektoratit dolën edhe policë të njësitit special dhe në këtë moment studentët u ulën në tokë, duke e vazhduar protestën në mënyrë të qetë dhe me kërkesë që t’iu drejtohet rektori Zejnullahu.

Gjatë konfrontimit me policinë, një student ka marrë lëndime të lehta ndërsa , pasi që studentët vazhduan protestën të qetë, njësiti special dhe policia u tërhoqën.

Studentët insistojnë se protesta e tyre do të jetë paqësore dhe se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre që nepotizmi dhe dukuritë tjera negative të largohen përgjithmonë nga UP-ja. Ata po ashtu theksuan se nuk po donë të bëjnë pazar dhe negociata por po kërkojnë vendime të prera që do ta përmirësojnë gjendjen në UP.

Lajme të ngjashme

Back to top button