Një zyre për aplikim, 14 mijë veteranë

Tollovia para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, është shkaktuar nga ish-luftëtarët e Kosovës, të cilët po aplikojnë që të pajisen me vërtetimet e statusit të veteranit, dokument i nevojshëm ky për t’u bërë përfitues të pensionit prej 170 eurosh.

Por 14 mijë veteranët potencialë për ta marrë këtë vërtetim, aplikimin mund të bëjnë vetëm në një vend – Zyrën për Çështjen e veteranëve në Qeverinë e Kosovës.

“Nuk ka vend tjetër, kështu e parasheh ligji”, ka deklaruar për Klan Kosovën, udhëheqësi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK’së, Faik Fazliu.

Ai tha se tollovia nuk kishte përse të ndodhte, sepse ky aplikim mund të bëhet edhe ditëve tjera, dhe nuk parashihet afat i caktuar.

“Gjithsesi, po shqyrtohet mundësia që këto aplikime të mund të bëhen edhe nëpër degë, veç e veç nëpër komuna, për t’iu shmangur tollovisë”, ka deklaruar Fazliu.

Edhe Xhavit Jashari, përfaqësues i organizatave të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se “po punohet për t’u shmangur tollovia dhe po shqyrtohet mundësia që këto aplikime të mund të bëhen në komuna”.

“Po shqyrtohen mundësitë, ne po bëjmë punën tonë”, ka deklaruar Jashari për Klan Kosovën.

Ndërkohë një ish-luftëtar i UÇK-së është alivanosur sot para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës gjersa ishte duke pritur në radhë që t`i dorëzojë dokumentet për të aplikuar për pension të veteranëve.

Qindra veteranët, të cilët kanë ardhur nga të gjitha anët e Kosovës, thonë se gjithçka është duke shkuar ngadalë dhe po hasin në vështirësi në dorëzim të dokumenteve.

Lajme të ngjashme

Back to top button