Kumanovë e Likovë, asnjë ndërmarrje private për furnizim me drunj!

Në rajonin e Kumanovës dhe të Likovës ofertën për furnizim me drunj e paraqesin: Ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë” në Kumanovë si dhe ofertues privat individual, ashtu që nuk ekziston asnjë ndërmarrje private, që aktualisht furnizon qytetarët me drunj. Për Portalb, ofruesit privat deklaruan se puna me ndërmarrje nuk është aspak fitimprurëse. Këtë e konfirmoi edhe drejtori i ndërmarrjes “Pyjet e Maqedonisë”, sipas të cilit pjesa më e madhe e qytetarëve kërkojnë të furnizohen nga kjo ndërmarrje shtetërore, për shkak të çmimit më të ulët.

3

“Më herët isha drejtor i një ndërmarrje private për shitje të drunjve, por për shkak të tatimit shtetëror nuk kisha llogari dhe e mbylla. Tani punoj individualisht, si ofrues privat. Kështu është më mirë, askush më nuk ka llogari të regjistrojë ndonjë firmë. Njerëzit punojnë individualisht. Nuk ka më ndërmarrje.”-deklaroi për Portalb, ish –drejtori i Ndërmarrjes “Shiqo-Komerc”, i cili ndodhej në malin e fshatit Goshincë.

“Nuk ka më asnjë ndërmarrje private që furnizon qytetarët me drunj. Zakonisht ato ndërmarrje që hapeshin funksiononin deri sa u zgjaste lehtësimi shtetëror për të mos paguar tatim, pra punonin 1 a 2 vjet. Dhe në momentin që duhej të paguhet tatimi atëherë i mbyllnin.”- tha Besnik Latifi, qytetar.

I pyetur rreth interesit të ndërmarrjeve private për të marrë leje për transportim të drunjve, Vaid Saiti, drejtor i Ndërmarrjes “Pyjet e Maqedonisë”-Kumanovë tha: “Të them të drejtën tenderi është hapur në Drejtorinë në Shkup, nuk hapen nëpërmjet njësive punuese siç jemi ne. Nuk ka pasur shumë interes të konkurrojnë nëpër tenderë për bartjen e drunjve, për shkak se çmimi, me siguri, nuk është i volitshëm dhe është interesi i tyre privat. Në të kaluarën ka pasur dhe gjithmonë kemi bashkëpunuar. Por tani nuk ka ndërmarrje private që transportojnë dru. Sikur të ketë ndonjë ndërmarrje në Likovë apo Kumanovë me siguri do ta kisha angazhuar menjëherë. Janë më tepër të interesuar për bartjen e drunjve në mënyrë private se kanë më shumë llogari, sesa të transportojnë drunj në emër të ndërmarrjeve.”

Ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë” në Kumanovë
Ndërmarrja “Pyjet e Maqedonisë” në Kumanovë

Sipas drejtorit qytetarët po bëjnë kërkesë të madhe për drunj për shkak të çmimit të volitshëm, siç theksoi ai “Interesi i qytetarëve është i madh për shkak se çmimi i shtetit është shumë më i ulët se ai privat. Çmimi privat është rreth 3600 – 3800 den. për metër, kurse te ne është 2271 den.”

Saiti sqaroi se ndërmarrja shtetërore furnizohet me drunj nga mali Kozjak, që ndodhet në kufirin me Serbinë dhe Pallankën. “Për shkak të motit të ligë për rreth 15 ditë jemi përballur me vështirësi. Ka ende baltë në mal. Ja pikërisht sot u ktheva nga tereni atje. Atje kemi drunj në hapësirë prej rreth 6000 metër, që duhet të sillen në magazinë dhe të shfrytëzohen nga të gjithë qytetarët e komunës së Likovës dhe të Kumanovës.”-tha ai.  Ndërsa konfirmoi për Portalb se momentalisht po i përballojnë të gjitha kërkesat e qytetarëve./Portalb.mk

LEXO: Maqedoni, është shumë shtrenjtë të ngrohësh shtëpinë

LEXO: Ngrohja me rrymë është më e shtrenjtë se ajo me dru

LEXO: Rritet çmimi i druve për ngrohje

Lajme të ngjashme

Back to top button