Shqiptarët e Maqedonisë me shtatë parti, por kush ua mbron interesat?

Me daljen në skenën politike të “Unitet-it” partisë më të re shqiptare në Maqedoni, së bashku me tjerat ekzistuese shqiptare bëhen gjithsej shtatë parti politike shqiptare (BDI, PDSH, LR-PDSH, RDK, BESA, PPD) në Maqedoni ku sipas regjistrimit zyrtar të vitit 2002 ka 25% shqiptarë (apo rreth 600.000 shqiptarë). Të gjitha këto parti, përpos asaj në pushtet, BDI kërkojnë front të përbashkët opozitar por vetëm LR-PDSH dhe RDK janë bashkë.

Njohësit e çështjeve politikë në vend komentojnë për Portalb se ofertat e reja politike janë të mirëseardhura, është pjesë e proceseve demokratike llojllojshmëria e agjendave politike. Mirëpo me rëndësi është përmbajtja e agjendës që e ofrojnë subjektet e reja politike. Çështje me rëndësi që duhet t’i kushtojnë kujdes është rritja e interesit të popullit për të zgjedhur përfaqësues sa më kualitativ, kështu vlerësojnë për Portalb analistët.

Rashidi: Me rëndësi është oferta politike
“Kushtetuta dhe ligjet garantojnë pluralizmin dhe secili ka të drejtë të krijojë një subjekt të ri. Secili ka të drejtë të dalë para popullit e të kërkojë mbështetje për t’i përfaqësuar ata. Asnjë nuk ka ekskluzivitet për këtë. Por, çështja duhet parë pak edhe përtej kësaj të drejte. Ata që e sfidojnë këtë të drejtë janë naiv politik. Për mua është me rëndësi oferta politike. Ajo as e si te avancojë. As e si të nxitet një retorikë e re. As e si të sillet një vizion që përputhet me kohën apo të jetë pararojë. Kjo është më esenciale. Frika është se me partitë tentohet vetëm të përfaqësohen interesa të kufizuara. Kjo frikë vjen sepse nuk shohim shtysën e re aq të dëshiruar. Por megjithatë askush nuk duhet ta mendojë, e jo më ta ndalojë përpjekjen”, tha për Portalb gazetari Nazim Rashidi.

Neziri: Dalja e partive të reja do të rrit daljen në zgjedhje

“Askush nuk ka dhe nuk guxon të ketë monopol në skenën politike me atë që të përcaktojë sa parti të ketë apo kush të merret me politikë. Në këtë kontekst, mendoj se është rezultat i një procesi demokratik që do të kontribuojë në drejtim të demokratizimit të shoqërisë shqiptare në Maqedoni. Është një ofertë që do të garojë në skenën politike dhe do të shtojë mundësinë për zgjedhje te shqiptarët. Dalja e partive të reja mendoj se do të sjellin një dalje më të madhe në zgjedhje të shqiptarëve, 70 për qind e të cilët në ciklet e fundit zgjedhore kanë abstenuar shkaku i mungesës së ofertave të njëmendta politike”, theksoi për Portalb analisti Xhelal Neziri.

Bilalli: Dalja e subjektit të ri progresive

“Është pasojë e sëmundjeve të thella, një kancer i një strukture që shkeli vlerat mbi të cilat u themeluar. Nuk mund ta vlerësojë ndryshe pos një çmontim dhe çdo gjë që ndihmon këtë çmontim është progresive”, u shpreh profesori universitar Mersel Bilalli.

Partia “Uniteti”

“Uniteti”është partia e re politike në Maqedoni. “Uniteti” doli publikisht në Shkup dhe me një anë të konferencës për shtyp kanë arsyetuar daljen në skenën politike dhe ka shfaqur një pjesë të vizionit të saj mbi politikbërjen në Maqedoni.

“Idetë e partive shqiptare janë të kontrolluara nga VMRO-DPMNE dhe mundohen të sigurojnë monopol për vete, shqiptarët po e ndjejnë veten të pasigurtë a do të realizohen çështjet për të cilat i kanë votuar përfaqësuesit. Marrëveshja e Ohrit nuk po realizohet sepse janë betuar se do të jenë besnik ndaj organeve të shtetit. Ne vlerësojmë se partitë parlamentare shqiptare janë vasal të VMRO-DPMNE-së. BDI-ja vazhdon të mashtrojë popullin duke thënë se do të anëtarësohet në BE dhe NATO, e tjetra nuk mund ti shkëputet VMRO-së me “Veren do Smrt”. Qeveria e Maqedonisë nuk ka nguruar të përdorë dhunë, tha Gëzim Ostreni prijës i “Unitetit”.

Gëzim Ostreni ishte gjeneral në UÇK-në e Kosovës në vitin 1999, shef i shtabit të përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të vitit 2001 në Maqedoni. Ai u bë pjesë e BDI-së që nga viti 2002.

Lajme të ngjashme

Back to top button