Njeriu që mund të bëhet hero i shqiptarëve

Liderët. Do t’i kisha ndarë në tre tipa. Në liderë trima, që dijnë cka duan dhe e kërkojnë këtë me ngulm dhe me kokëfortësi, shpeshherë duke përdorur tërë kredibilitetin dhe tërë energjinë e tyre për t’ia arritur qëllimit. Kanë një përqindje të mirë të suksesit në veprimet e tyre; liderë mediokër dhe qarramanë që fshehen sa herë që shfaqen problemet më të vogla, dhe që bëhen vegël e tipit të parë; dhe në liderë të cilët dijnë të luajnë lojën e prapaskenave dhe të përfitojnë cka kanë më të rëndësishme, mbi të gjitha oportunistë, intrigantë dhe tepër intelegjentë. Kur flasim për terme politike, liderët e tipit të parë janë ata që i nevojiten një shoqërie në kohë krizash të mëdha, ku duhen njerëz të fuqishëm me qëndrime të fuqishme, që harxhohen tërësisht për një qëllim të caktuar dhe që shpeshherë fitojnë status të lartë historik. Yje të vërtetë të demagogjisë dhe ideologjisë. Por jo shqiptarëve të Maqedonisë, megjithëse është një krizë e tillë e madhe.

Liderët e tipit të dytë nga ana tjetër, nuk janë të mirë në asnjë situatë. Fatkeqësisht këto janë tipi më i rëndomtë. Te shqiptarët e Maqedonisë, gati të përhershëm dhe të përsëritshëm. Njerëz që nuk kanë kredibilitet personal, të privuar nga karizma dhe intelegjenca politike, por që përfitojnë nga rrethanat dhe nga mangësitë në guxim të të tjerëve për të marrë fotelen dhe primatin. Noli i quan kolltukofagë. Një gjë pozitive i karakterizon, dhe ai është guximi për të dalë të parët nga m*ti dhe për të thënë që janë më të mirët nga gjithë të tjerët m*ta që kanë mbetur nën bajga.

Në mungesë të tipit të parë, atë të liderit karizmatik dhe pompoz, bajgat mediokrite kanë mbuluar dhe dominuar shoqërinë shqiptare këto 25 vitet që nga pavarësimi i Maqedonisë. Si pasojë e kësaj ne sot kemi barrën historike të konfliktit të 2001-shit, dhe si pasojë e këtyre personazheve të zymta historikë kemi barrën akoma më të madhe të një marrëveshjeje ndërkombëtare të keqmenaxhuar dhe akoma më keqrealizuar, sic është Marrëveshja e Ohrit.

Një gjë karakterizon këta politikanë: ata morrën këtë marrëveshje ndërkombëtare dhe e transformuan atë në një copë letër, redaktimin e përmbajtjes të së cilës e bënin sa herë që kishin nevojë për pazare të ulta, për resore, për tendera, për më shumë para dhe kontroll mbi një aparat shtetëror të katandisur. Partia më e madhe shqiptare, BDI-j a ashtu si edhe PDSH-ja keqpërdorën programet e tyre që pikë kyce kanë avancimin e pozitës së shqiptarëve në vend, pra përdhosën parimet e Marrëveshjes së Ohrit, duke rënë në grackat e VMRO-së shkaku i mungesës së intelegjencës politike në cdo hap të cilin e kanë bërë këto 14 vjet. Po ta lexosh Marrëveshjen e Ohrit do të shohësh që është një dokument i vogël, me gjashtë faqe, me 26 pika referuese dhe që është shumë i thjeshtë, pa dualitete juridike që do të komplikonin zbatimin e saj. Asgjë e komplikuar! Asgjë e padeshifrueshme! Me termine të thjeshta që i kupton gjithsecili. Me një fjalë, ideatorët e saj ishin të përgatitur që t’ju japin liderëve politike dhe ushtarakë të kohës një marrëveshje që duhej të zbatohet në një afat shumë të shkurtër kohor; pra të implementohej në kushtetutë, duke nxjerrë ligje të reja apo duke amandamenduar ligjet ekzistente në mënyrë që të arrihej, të paktën në letër, barazia mes shqiptarëve dhe maqedonasve në shtet.

Ishte bërë e tillë e thjeshtë ma merr mendja, sepse liderët politikë shqiptarë, pas implementimit të saj në aspektin juridik do të kishin betejën kryesore për të implementuar atë de facto në shtet. Megjithatë ajo që këta liderë shqiptarë bënë, ishte ajo që e zvarritën, e holluan dhe e stërholluan këtë proces që apriori do duhej të ishte shumë i shpejtë; aq sa edhe sot, pas 14 vitesh pika të shumta të Marrëveshjes së Ohrit nuk janë zbatuar në kushtetutë dhe në ligje. Ndoshta faza e dytë ishte e paarritshme për ta, pikërisht për shkak të mediokritetit politik dhe mungesës së një vizioni të qartë dhe të vërtetë, përtej fjalëve të bukura.

Falë këtyre turbulencave politike të vitit të fundit, duhet të kuptojmë një gjë dhe një gjë të vetme. Ajo që na duhet neve sot, është një lider i tipit të tretë, një lider intelegjent, që ka shumë aftësi për të bërë të tjerët për vete me lojëra politike dhe duke vepruar shpesh nën hije, prapa skenave por gjithmonë me synime pozitive kundrejt aspekteve sociale dhe ekonomike të popullit të vet. Një lider i cili do ta ketë të qartë dhe do t’jua bëjë akoma më të qartë palës maqedonase, që marrëveshjet ndërkombëtare duhet të zbatohen në tërësi, ashtu sic janë të shkruara dhe të nënshkruara – pikë për pikë dhe si e tillë të implementohet në kornizat juridike dhe ligjore të vendit. Ky lloj lideri është pragmatik dhe e din që po nuk u gjetën mekanizmat më të duhura për zbatimin e dispozitave ligjore të cilat i tangon Marrëveshja e Ohrit, atëherë nuk mund të garantohet stabiliteti i shtetit, paqa dhe stabiliteti dhe këtë është i gatshëm ta kumtojë partnerëve të vet në mënyrë të qartë dhe të parevokueshme.

Një lider i tillë nuk ka kohë të mendojë për ndryshime të reja të asaj marrëveshjeje. Koha e tij është e kushtuar zbatimit dhe realizimit të saj në praksë. Cdo gjë tjetër është kohë e humbur, është shenjë dobësie, mungese vizioni.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button