Gjenerali Ostreni shpalosi partinë e re: “Uniteti” nuk është dublikate e BDI-së

Partia më e re shqiptare “Uniteti” në krye me gjeneralin Gëzim Ostreni, tani më ish anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) sot doli para publikut. Në shoqëri të tij ishte deputeti Zylfi Adili-Qufa, Gazmend Selmani, një nga themeluesit e Forumit rinor të BDI, Skender Xhemaili, i 5ti në listën e kandidatëve të BDI-së për deputet në njësinë zgjedhore 1, Mehmet Bajrami, ish kandidat për këshilltar të BDI në Kumanovë, Fatmir Zimberi këshilltar në Ministrinë e Transportit, Muhamed Ismaili, ish zv/drejtor i Agjencisë së Inteligjencës, Veli Kadriu i punësuar në Qendrën për Menaxhim me Kriza transmeton gazetari i Portalb-it nga terreni.

Ostreni njoftoi se grupi ka bërë përgatitjet dhe ka nisur procedurën për krijimin e strukturave të kësaj partie.

“Idetë e partive shqiptare janë të kontrolluara nga VMRO-DPMNE dhe mundohen të sigurojnë monopol për vete, shqiptarët po e ndjejnë veten të pasigurtë a do të realizohen çështjet për të cilat i kanë votuar përfaqësuesit. Marrëveshja e Ohrit nuk po realizohet sepse janë betuar se do të jenë besnik ndaj organeve të shtetit. Ne vlerësojmë se partitë parlamentare shqiptare janë vasal të VMRO-DPMNE-së. BDI-ja vazhdon të mashtrojë popullin duke thënë se do të anëtarësohet në BE dhe NATO, e tjetra nuk mund ti shkëputet VMRO-së me “Veren do Smrt”. Qeveria e Maqedonisë nuk ka nguruar të përdorë dhunë.
Partitë i nxisin qytetarët për të fituar vota gjoja për t’u mbrojtur çështja shqiptare. Shtyllat e demokracisë janë deformuar, politikanët janë ngritur mbi kushtetutën. Duhet theksuar edhe kërcënimet që manifestohen me parulla fashiste kundër shqiptarëve, për këtë askush nuk përgjigjet. “Uniteti” do të kujdeset për rregullimin e kësaj gjendje, përmirësimin e shtetit, marrëdhënieve të mira, dhe jo t’i fyejmë dhunës, do ta forcojmë shtetin qytetar multietnik. Shqiptarët si qytetarë duhet të jenë të barabartë dhe jo si lypsarë”, tha Gëzim Ostreni, transmeton Portalb.

Uniteti 2

Ostreni më tej tha se “Uniteti” nuk është formuar me shpresë të bëhet dublikate e BDI-së, në përgjigjen e pyetjes se a ka persona të tjerë nga BDI që do të bashkëngjiten me “Unitetin”.

“Kjo nismë nuk ka lindur nga përçarja e BDI-së, por është një parti e re. Çdo qytetar është i mirëseardhur tek “Uniteti” sepse kjo parti është e qytetarëve. “ tha ai, transmeton Portalb.

Ai gjithashtu tha se do të bashkëpunojë me partitë tjera vetëm nëse përputhen programet e partive. Ostreni nuk e përjashtoi mundësinë në të ardhmen që të bashkëpunojë edhe me BDI-në.

Në pyetjen e Portalb se a do të konkurrojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 24 prillit 2016, Ostreni nuk ishte konkret por tha se ka kohë deri atëherë.
Uniteti

“Ende jemi ne formim e sipër, deri në zgjedhjet e prillit ka ende kohë” u shpreh ai, transmeton Portalb.

Për dallim nga BESA, Lëvizja për Reforma në PDSH dhe RDK-ja, Uniteti do të jetë edhe parti parlamentare deri në zgjedhjet e ardhshme, pasi që pjesë e saj do të jetë i edhe deputeti Zulfi Adili, i njohur si komandant Qufa.

Gëzim Ostreni ishte gjeneral në UÇK-në e Kosovës në vitin 1999, shef i shtabit të përgjithshëm të Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe shef i shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të vitit 2001 në Maqedoni. Ai u bë pjesë e BDI-së që nga viti 2002.

ZYLFI ADILI QUFA GEZIM Ostreni UNITETI

Lajme të ngjashme

Back to top button