Ndeshja Shqipëri-Serbi, takim mes FSHF dhe Policisë për planin e masave

Në Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF) një grup ekspertësh të Policisë së Shtetit Shqiptar të kryesuar nga nëndrejtori Drejtori i Përgjithshëm, Altin Qato, kanë zhvilluar një konsultë pune së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm të FSHF-së, Ilir Shulku, transmeton Anadolu Agency (AA).

Burimet zyrtare nga Federata Shqiptare e Futbollit kanë bërë të ditur se në qendër të vëmendjes ka qenë plani i masave për përgatitjen sa më mirë të ndeshjes Shqipëri – Serbi që do të zhvillohet më 8 tetor në “Elbasan Arena”.

“Është diskutuar për detaje të sigurisë në stadium, probleme të shoqërimit të skuadrave të trafikut, apo të pikave të kontrollit dhe shumë detaje të tjera për të cilat po përgatitet një plan i gjerë masash. Policia e Shtetit është informuar nga FSHF për planin e lëvizjes së skuadrave, gjyqtarëve dhe zyrtarëve të tjerë të UEFA-s. Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka patur informacione për tentativa të individëve të veçantë, për të ndërruar emrat në bileta. FSHF, i ka vënë në dispozicion Policisë së Shtetit database me të gjithë emrat e personave që janë pajisur me biletë”- thuhet në njoftimin zyrtar të FSHF-së.

FSHF ka pohuar se policia nuk do të lejojë asnjë person, që nuk e ka emrin të regjistruar në listën fillestare. Një takim tjetër, me përfaqësues të të dy institucioneve, është lënë ditën e hënë, për të kryer edhe rakordimet e fundit, përpara ndeshjes.

Paraprakisht bëhet e ditur se për të garantuar mbarëvajtjen dhe zhvillimin normal të ndeshje Shqipëri-Serbi do të angazhohen mbi 1400 punonjës policie.

Lajme të ngjashme

Back to top button