Gostivari fitoi çerdhen e tretë publike

Në një ceremoni solemne dhe në prani të udhëheqësve të Komunës së Gostivarit dhe Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, është inauguruar çerdhja e tretë publike në qytetin e Gostivarit, një investim prej 4 milionë denarësh, kryesisht të siguruara nga buxheti i Komunës.

Kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, tha se duke i pasur parasysh kërkesat dhe nevojat e qytetarëve, Komuna e Gostivarit ndërmori disa projekte.

“Kërkesat nga ana prindërve ishin shumë të mëdha, prandaj  vendosëm që në kuadër të Internatit të nxënësve të adaptojmë dhe përshtatim  ambiente për funksionimin e çerdhes së tretë publike në qytetin e Gostivarit që vendosëm ta quajmë “Bleta”. Objekti ka kapacitet për 120 fëmijë 4 deri 6 vjeç, dhe do të shpërndahen në katër grupe. Hapësira totale e objektit është 384  metra katrorë,  kopsht të rrethuar prej 2148 metra katrorë. Objekti plotëson të gjitha kriteret dhe kushtet e nevojshme, siç është korridori prej 84 metra katrorë, katër mjedise lojërash nga 34 deri 68 metra katrorë, toalete, kuzhinë dhe sallë për ushqim prej 42 metra katrorë, dhe hapësira zyrash prej 36 metra katrorë. Komuna e Gostivarit investoi mbi 2 milionë e 800 mijë denarë”, tha kryetari Nevzat Bejta.

Ministri i Punës dhe Politikës Sociale, Dime Spasov u shpreh se ky investim në Komunën e Gostivarit është pjesë e investimeve të shumta në nivel republikan për hapjen e çerdheve të reja për parashkollorët.

Vitin e kaluar, në Komunën e Gostivarit u hapën edhe dy qendra për zhvillim të hershëm të fëmijëve në fshatin Debresh dhe lagjen Tullana.

Lajme të ngjashme

Back to top button