Më 1 tetor 1997 u mposht frika

Protestat studentore të vitit 1997 i kanë ndërruar rrjedhat e zhvillimeve politike në Kosovë, duke bërë jehonë të madhe ndërkombëtare.

Ish-drejtuesit e Lëvizjes Studentore të ’97-s, Bujar Dugolli, Muhamet Mavraj, Albin Kurti dhe Driton Lajçi, 18 vjet pas këtyre protestave, i kujtojnë çastet e vështira të pikënisjes së kthesës së madhe historike që po vinte për Kosovën, kthesë e cila mori emrin dhe vulën e UÇK-së. Ata kanë vlerësuar se protestat e ’97-s kanë ndryshuar rrjedhën e zhvillimeve politike në Kosovë.

Ish-kryetari i Lëvizjes Studentore, Bujar Dugolli, ka thënë se protestat studentore të vitit 1997 i kanë ndërruar rrjedhat e zhvillimeve politike në Kosovë, duke bërë jehonë të madhe ndërkombëtare. Ai ka deklaruar se pa Lëvizjen Studentore dhe pa Universitetin e Prishtinës nuk do të mund të paramendohej lufta çlirimtare e cila rezultoi me lirinë e vendit.

“Çdo përvjetor na kthen në retrospektivë që t’i kujtojmë ato vite të rënda që i ka pasur vendi ynë dhe Universiteti i Prishtinës si i vetmi institucion i arsimit të lartë në Kosovën e atëhershme. Ato vuajtje dhe sakrifica për liri, për arsim, për gjuhën shqipe, kanë qenë titanike. Atëkohë kishim një ideal për një universitet në gjuhën shqipe dhe për lirinë e vendit. Protestat e ’97-s i patën ndërruar rrjedhat e zhvillimeve politike në Kosovë dhe kanë bërë jehonë të madhe ndërkombëtare. Prandaj, pa Lëvizjen Studentore dhe pa Universitetin e Prishtinës nuk do të mund të paramendohej lufta çlirimtare e cila rezultoi me lirinë e Kosovës”, është shprehur Dugolli për “Epokën e re”.

Ai ka vlerësuar se Lëvizja Studentore e vitit 1997 ka kthyer për së mbari rezistencën e përgjithshme që rezultoi me çlirimin e Kosovës. “Si udhëheqës padyshim se ndihemi krenarë që patëm mundësinë të japim një kontribut për Universitetin e Prishtinës dhe lirinë e vendit. Sa më shumë vite që shkojnë, e ndjejmë për nder që jetuam në atë kohë dhe patëm mundësi të bëjmë diçka për vendin tonë”, ka theksuar Dugolli.

Ish-lideri i studentëve ka thënë se, pavarësisht problemeve gjatë kësaj periudhe, është bërë një punë e madhe si në arsim, po ashtu edhe në fusha të tjera. “Po të kthehemi në retrospektivë dhe të shohim ku ishim para 18 vjetësh dhe ku jemi sot, padyshim është një arritje shumë e madhe në të gjitha fushat në Kosovë. Mirëpo kemi dëshirë që Universiteti i Prishtinës të jetë në gjendje shumë më të mirë sesa që është sot, por janë shumë faktorë që e pengojnë lëvizjen e tij, ashtu siç ka pasur atëherë faktorë që kanë tentuar ta pengojnë Lëvizjen Studentore. Megjithatë, Universiteti dhe studentët do t’i tejkalojnë edhe këto sfida me të cilat po përballen”, ka deklaruar Dugolli.

Kurti: Më 1 tetor 1997 njeriut të Kosovës iu rikthye dinjiteti

Edhe ish-prijësi tjetër i Lëvizjes Studentore, Albin Kurti, ka folur me rastin e shënimit të 18-vjetorit të protestave të ’97-s. Duke shpalosur kujtimet e asaj periudhe, ai ka thënë për “Epokën e re” se më 1 tetor të vitit 1997 është thyer një heshtje e gjatë dhe absurde si dhe njeriut të Kosovës i është rikthyer dinjiteti. “Në Kosovën e robëruar e të shtypur, terren ku realizohej padrejtësia më e madhe në Evropë, më 1 tetor 1997 njeriut të Kosovës iu rikthye dinjiteti.

Më 1 tetor populli ndjehej krenar dhe nuk turpërohej, pasi kishte thyer një heshtje të gjatë e absurde. Padyshim, Lëvizja Studentore e atëhershme e ka shpejtuar procesin drejt lirisë, i cili edhe sot e kësaj dite ende nuk ka përfunduar”, ka deklaruar Kurti. Ai ka treguar se më 1 tetor 1997 është bërë thirrje për çlirim të të gjitha hapësirave të uzurpuara të Universitetit të Prishtinës, një pjesë e së cilës ende vazhdon të jetë e uzurpuar. “Në pjesën veriore të Mitrovicës, Universiteti i Prishtinës nuk ka asnjë qasje sot në Fakultetin Xehtaro-Metalurgjik dhe në Shkollën e Lartë të Elektroteknikës dhe Makinerisë që kanë qenë degë e UP-së”, ka theksuar Kurti, duke shtuar se studenti më 1 tetor të ’97-s u pat bërë subjekt dhe roli që ka luajtur atëherë është i një rëndësie madhore.

“Pesha që ka bartur studenti atëkohë është ndërhyrja e cila edhe e ka thyer status quo-në dhe e ka ndryshuar kahun e procesit politik përkundër politikës pasive. Këtu, natyrisht ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme rektori i atëhershëm, Prof. Ejup Statovci. Banesa e tij modeste dhe zyra e tij janë bastisur shumë herë ashtu sikurse që edhe ai u arrestua disa herë përgjatë viteve të ’90-ta nga policia e Serbisë”, është shprehur Kurti. Sipas Kurtit, kushdo tjetër që do ta merrte drejtimin e Universitetit, përveç prof. Statovcit, atëbotë do të përfundonte si shërbëtor aktiv i politikës pasive. “Pothuajse askush tjetër nuk do të mund ta mbronte autonominë e Universitetit të Prishtinës nga politika ditore vendëse, e cila dhunën e okupimit të Serbisë e konsideronte si provokim në të cilin nuk duhet të bimë! Universiteti i Prishtinës, me procesin mësimor nëpër shtëpitë shkolla dhe me protestat paqësore, ishte vënë në ballë të rezistencës. Në vitin 1997 studentët e profesorët nuk shpresonin në Marrëveshjen për Normalizimin e Arsimit midis Rugovës dhe Millosheviqit”, ka deklaruar Kurti.

Lajçi: Protestat e ’97-s zgjuan nga gjumi strukturat e atëhershme politike

Edhe bashkëveprimtari tjetër i Lëvizjes Studentore, Driton Lajçi, ka thënë se protestat e ’97-s janë një ngjarje e rëndësishme për Universitetin e Prishtinës dhe për Kosovën. Ai ka treguar se qëllimi i tyre ka qenë lirimi i objekteve universitare dhe liria e Kosovës.

“Pas 18 vjetësh e kujtoj me respekt si datë dhe si ngjarje, meqenëse kemi arritur ta përmbushim qëllimin tonë të kohës. Kemi organizuar një protestim paqësor dhe aktiv, i cili ka shkuar në favor të Universitetit të Prishtinës”, ka deklaruar Lajçi për “Epokën e re”. Ai ka thënë se organizimi studentor i ’97-s ka pasur efekt shumëdimensional dhe ka qenë një mesazh për ta zgjuar nga gjumi klasën e atëhershme politike. “Në aspektin njerëzor është mbytur frika, kurse në aspektin politik gjërat kanë lëvizur nga vendi. Ka qenë një mesazh për t’i zgjuar nga gjumi edhe strukturat e atëhershme politike. Ka qenë edhe një largim i frikës, mjegullës dhe paqartësive të kohës kur Kosova ndodhej në një okupim klasik, në një shkelje të vrazhdë të drejtave të njeriut, në dhunë të përditshme individuale dhe masive nga forcat policore, ushtarake dhe administrata e dhunshme e instaluar në territorin e Kosovës”, është shprehur Lajçi, duke shtuar se i gjithë ky aktivitet studentor ka qenë një veprimtari e rrezikshme.

“Natyrisht, ta kthesh një faqe tjetër të historisë, ka qenë një veprimtari shumë e rrezikshme për të hapur dyer të tjera të mëdha. Dhe më pas liridashësit dhe UÇK-ja përfundimisht i bënë hapat e mëdhenj dhe të fundit drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së Kosovës”, ka theksuar Lajçi. Ai ka thënë se të gjithë duhet të angazhohemi në mënyrë që të kemi sukses si në fushën e arsimit, po ashtu edhe në segmentet e tjera. “Gjerat gjithmonë duhet t’i kuptojmë në kontekst të kohës. Madje në kuadër të këtyre zhvillimeve në drejtim të agjendës evropiane duhet të bisedojmë, të bëjmë kompromise dhe marrëveshje brenda universitetit me faktorë të tjerë politikë sepse është e domosdoshme të jetë një garniturë tjetër në sistemin demokratik”, ka vlerësuar Driton Lajçi.

Mavraj: Më 1 tetor ra miti i frikës

Edhe Muhamet Mavraj, prijës i Lëvizjes Studentore të ’97-s, ka treguar për “Epokën e re” se për 1 tetorin e ’97-s kanë punuar gati dy vjet. “Për 1 tetorin 1997 kemi punuar gati dy vjet pak nga pak, që nga lënia e Kosovës jashtë tryezës ndërkombëtare në Dejton të ShBA-ve. Me këtë datë ndahen epokat e Kosovës, nga politika pasive gradualisht kalohet në rezistencë aktive. Pra Lëvizja Studentore është fazë e ndërmjetme e dy politikave të kundërta, një fazë kalimtare. Kështu, hap pas hapi, shkuam edhe drejt luftës çlirimtare dhe fundit të sundimit të Serbisë në Kosovë. Ky fund është rezultat gati njëshekullor i brezave tanë. Më 1 tetor është mposhtur frika e Kosovës, ka rënë miti i frikës dhe secili shqiptar është ndier mirë, më solidar me tjetrin, një vlerë tradicionale që u rikthye. Përvjetorët e 1 tetorit ushqejnë një impuls krenarie, natyrisht, por na bëjnë t’i kujtojmë shumë shokë tanët dëshmorë. Ata do të donin që ky vend të ishte edhe më mirë nga sa është, sidomos në veri”, ka thënë Muhamet Mavraj.

Lajme të ngjashme

Back to top button