Liria lider i tabelës që nga xhiro e parë

E ka filluar me këmbë të mbarë sezonin e ri basketbollistik KB Liria nga Shkupi, duke mundur në ndeshjen e parë KB Pelisteri nga Manastiri me rezultat 100:68 (30:14, 28:13, 20:19, 22:22).

Edhe pse ndeshjet nuk i ka filluar në sallën e Çairit “Shaban Tërstena”, kjo spak nuk ka ndikuar për skuadrën shqiptare që të then kundërshtarët me 32 pikë diferencë. Në tre çerekët e parë Liria ka dominuar tërësisht, ndërsa në çerekun e katërt kur më pritej vetëm se me cilën diferencë do të përfundojë ndeshja, ekipet kanë barazuar 22:22. 

Në këtë ndeshje përforcimi i Lirisë, Bojan Trajkovski ka dominuar me 9 kërcime ndër kosh, gjithashtu ishte dhe pikëshënuesi më i mirë i ndeshjes, duke shënuar plot 29 pikë, menjëherë pas tij ishte Tasovski me 22 pikë, me nga 16 pikë përfunduan ndeshjen Simiq dhe Mijoviq. 
Trajneri Marjan Ilievski është ndarë i kënaqur nga fitorja, edhe pse sipas tij është herët për të folur për diçka më shumë, pasi skuadra si kjo e Pelisterit nuk është e rangut të tyre, pasi manastirasit do të luftojnë për mesin e tabelës.

“Në bazë të asaj që ne kemi filluar me përgatitje më së voni nga të gjitha ekipet, mendoj se ngadalë po marrim formën e duhur. Jam i kënaqur nga paraqitje e të gjithë lojtarëve të mi, ata u angazhuan mirë dhe si rezultat i kësaj kemi dhe një fitore bindëse”, tha për Portalb Ilievski. Në këtë ndeshje gjithashtu në lojë janë futur edhe basketbollistë e rinj, Mehmedi dhe Zeqiri, të cilët pritet ngadalë dal të bëhen pjesë e pandarë e skuadrës, përveç kapitenit Labinot Idrizi, i cili në këtë ndeshje ka shënuar dhe 4 pikë.

“Unë do tu japë shansin të gjithë basketbollistëve, ndërsa ata duhet të më bindin se e meritojnë vendin dhe duhet të luftojnë për minutat, për të gjithë ka vend”, ka shtuar trajneri Ilievski i cili nuk ka fshehur dhe gëzimin për fitoren dhe pozitën e parë në tabelë.

Ndeshjen e radhës KB Liria do ta luaj si mysafire kundër KB Sokoli nga Karposhi, ndërsa edhe pse ndeshja duhej të zhvillohet të shtunën, por shkaku që salla “Boris Trajkovski” është e zënë me paraqitjet e ekipeve hendbollistike, kjo ndeshje duhet të luhet të hënën. Kjo ndeshje do të luhet pa praninë e shikuesve, duke marrë parasysh se drejtori i këtij objekti sportiv pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë, Liria – Kumanova, kishte thënë se për 3 vite tifozët e këtyre dy skuadrave do të kenë ndalesë për të marrë pjesë. / Portalb 

Lajme të ngjashme

Back to top button