Çfarë dihet për ekipin shqiptar të prokurores speciale?

Në mesin e 14 ndihmës prokurorëve të prokurores special Katica Janeva që presin “amin-in” e Këshillit të prokurorëve gjenden edhe 4 shqiptarë; Lejla Kadriu, Burim Rrustemi, Fatime Fetai dhe Artan Ajro, raporton Portalb.

Portalb ka tentuar që të mësojë diçka më tepër rreth përvojës së mëparshme të prokurorëve shqiptarë, në mungesë të dhënave zyrtare.

Lejla Kadriu, prokuror publik nga Tetova, ka qenë në grupin punues për propozim tekstin e Ligjit për Prokurorinë publike.

Burim Rrustemi, vjen nga Prokuroria publike e Kumanovës, ka kryer fakultetin Juridik në Shkup më vitin 2004. 2008/09 ka kryer Akademinë për gjykatës dhe prokuror (Gjenerata e parë e të diplomuarve), pas kësaj ka nisë të punojë në Prokurorinë e Kumanovës. Rrustemi paraprakisht ka punuar edhe si avokat.

Fatime Fetai, nga Prokuroria publike e Shkupit. Fetai është emëruar prokurore në Prokurorinë e Shkupit më vitin 2011.

Artan Ajro, me prejardhje nga Struga, punon në Prokurorinë e Shkupit. Më parë ka punuar edhe në Ministrinë e drejtësisë.

Alsat-M njofton se vetëm Lile Stefanova vjen nga Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, rrjedhimisht është emri më i njohur për opinionin, për shkak të rasteve në të cilat është angazhuar. Ajo ka përfaqësuar prokurorinë në proceset gjyqësore ‘Spiunazhi’, ‘Likuidimi’, ‘Fallanga 2’, ‘Mashinoprimet’, ‘Vjedhja në muze’, ndërsa është angazhuar edhe si ndihmës prokuror në rastin ‘Puçi’. Aktualisht punon me dosjen ‘Maxhar Telekom’, në procedurë para hetimore. Burim Rrustemi ka përfaqësuar prokurorinë në dënimin me kusht të 60 vjeçares Feride Bilalli nga Hotla, shtëpia e së cilës ishte bastisur gjatë aksionit policor ‘Monstra’. Trajçe Pelivanov ka qenë prokuror në rastin kundër mjekut Dejan Stavriq, i cili u arrestua për korrupsion vetëm disa muaj pas organizimit të grevës së mjekëve në vitin 2013. Darko Jakimovski nga ana tjetër ishte i angazhuar në rastin kundër 20 vjeçarit Naser Eshtrefi nga Gërçeci, i gjykuar për vrasjen e Angell Petkovskit nga Gjorçe Petrovi. Prokurorët e tjerë janë relativisht të panjohur për opinionin.

Prokurorët duhet të votohen nga Këshilli i Prokurorëve me shumicën e Badinterit, më së voni më 20 tetor.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button