Koalicioni: Konfiskohet anija iraniane me armatim për në Jemen

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite, që lufton kundër grupeve kryengritëse shiite huthi në Jemen, të cilat mbështeten nga Irani, tha se e ka zbuluar një përpjekje nga Teherani për të kontrabanduar armatim në Jemen, nëpërmjet anijes.

Në një kumtesë të sotme, ky koalicion ka njoftuar se anija, që raportohet se është konfiskuar në Gjirin e Omanit, më 26 shtator, ishte e ngarkuar me predha dhe raketa të ndryshme dhe pajisje, që duket se u dërgoheshin forcave shiite huthi.

Në njoftim, po ashtu, theksohet se ekuipazhi i anijes përbëhej nga 14 iranianë dhe kishte dokumente që indikonin se ishte pronë e një shtetasi iranian.

Koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka ndërmarrë sulme ajrore kundër kryengritësve shiite Huthi prej muajit mars. Kryengritësit I kanë okupuar territore të gjëra në Jemen, gjatë vitit të kaluar.

Gjatë gjashtë muajve të fundit, janë vrarë më se 5,400 persona, ndërsa dhjetëra mijëra njerëz janë zhvendosur.

Kryengritësit Huthi ende e kanë kontrollin ndaj kryeqytetit Sana.

Jemeni, Arabia Saudite dhe vendet e tjera, e akuzojnë Iranin se i mbështet kryengritësit, por këto akuza Teherani i ka hedhur poshtë, transmeton REL.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button