Mbi 100 mijë qytetarë nënshkruan peticionin

Janë gjithsej 101 mijë e 672 qytetarë, të cilët kanë nënshkruar peticionin kundër marrëveshjeve të arritura të 25 gushtit në Bruksel. Kështu deklaruan përfaqësuesit e partive opozitare në një konferencë për media, duke treguar gjithashtu se peticioni po vazhdon në shumë qytete të Kosovës.

Nol Nushi, nga Lëvizja “Vetëvendosje”, tha se peticioni është zëri i qytetarëve, të cilët nuk kanë ngjyrime politike dhe duke parë këto nënshkrime kryeministri, Isa Mustafa, siç tha ai, duhet të tërheqë nënshkrimin nga marrëveshjet që ka nënshkruar në Bruksel. Sipas Nushit, nëse kryeministri nuk e bën një gjë të tillë, ai duhet të japë dorëheqje.

Edhe përfaqësuesit e AAK-së dhe të “Nismës” kanë thënë se peticioni është zëri i qytetarëve, të cilëve po u nëpërkëmbet e drejta e tyre.

I pyetur nëse opozita do ta bllokojë seancën kur do të procedohet ligji për Forcat e Armatosura të Kosovës, Nushi i “Vetëvendosjes” ka deklaruar se fillimisht do t’i shikojnë pikat e rendit të ditës ku pastaj do të vendoset se si do të veprojnë.

Opozita po ashtu ka bërë të ditur se peticioni do të vazhdojë derisa të ketë vullnet të qytetarëve ta bëjnë atë.

“Për dhjetë ditë janë mbledhur 101 mijë e 672 nënshkrime të qytetarëve, të cilët i kanë thënë jo marrëveshjeve të fundit me Serbinë, “Zajednicës” dhe Demarkacionit me Malin e Zi. Kemi pasur ditë me shi, po ashtu kemi edhe festat e fundit, mirëpo ne nuk jemi ndalur në krijimin e kushteve që qytetarët të nënshkruajnë këtë marrëveshje të dëmshme. Përderisa ka gatishmëri të madhe edhe ne do të vazhdojmë të punojmë duke u krijuar mundësi qytetarëve t’i kundërshtojnë këto marrëveshje”, ka deklaruar Nushi.

Ndërkaq Valon Tolaj, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka falënderuar të gjithë qytetarët, të cilët e kanë nënshkruar këtë peticion. Tolaj u bëri thirrje qytetarëve që të vazhdojnë ta kundërshtojnë marrëveshjen e Brukselit dhe të Vjenës. Ai tha se vetëm peticioni dhe qytetarët mund ta ndalin të keqen e vendit.

“I falënderojmë të gjithë qytetarët për nënshkrimin e peticionit. Kemi qytetarë pa ngjyrime politike dhe ne vazhdojmë të bëjmë thirrje qytetarëve për ta nënshkruar këtë peticion. Vetëm qytetarët mund ta ndalin të keqen e këtij vendi”, ka thënë Tolaj.

Edhe Skender Reçica, nga “Nisma për Kosovën”, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës, të cilët nuk kanë nënshkruar peticionin, ta bëjnë këtë në pikat dhe qendrat ku edhe janë vendosur aktivistët e peticionit. “U bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të nënshkruajnë këtë peticion, me arsyen e vetme për t’i kundërshtuar marrëveshjet. Ato marrëveshje po cenojnë integritetin e Kosovës dhe ne këtë nuk duhet ta lejojmë. Nuk duhet humbur rastin dhe t’i themi jo këtyre marrëveshjeve”, ka deklaruar Reçica. Ndryshe, peticioni kundër marrëveshjeve të arritura në Bruksel po nënshkruhet tash e dhjetë ditë.

Lajme të ngjashme

Back to top button