HERA kërkon që të ulen çmimet e mjeteve kontraceptive

Ulja e çmimeve të mjeteve kontraceptive dhe dhënia e të paktën e një mjeti kontraceptiv që do të mbulohet nga Fondi për Sigurim Shëndetësor, dhe futja e edukatës seksuale në arsimin e përgjithshëm nëpër shkolla, me qëllim të thyerjes së miteve dhe barrierave të cilat ekzistojnë në lidhje me shëndetin seksual dhe reproduktiv, veçmas kontraceptivët, kërkojnë të rinjtë nga shoqata HERA.

Ata thirren në Studimin për sjelljet lidhur me shëndetin te fëmijët e moshës shkollore nga viti 2013, ku shkalla e përdorimit të pilulave për kontraceptivë te të rinjtë në moshën 15 vjeçare në Maqedoni, është 6% dhe është më e ulët se përqindja ndërkombëtare, që është 22%.

Nga HERA njoftojnë se kostoja e mjeteve kontraceptive paraqet barrierë, veçmas te personat e rinj.

“Në Maqedoni ka kontraceptivë, të cilat nuk mbulohen nga Fondi i Sigurimit Shëndetësor. Sipas raportit për gjendjen e popullatës botërore nga viti 2011, përqindja e grave nga Maqedonia të cilat janë në periudhë reproduktive dhe të cilat shfrytëzojnë kontraceptiv modern, është pas vendeve fqinje dhe Evropës”, konstatojnë nga HERA.

Me rastin e ditës botërore të kontraceptivit – 26 shtator, të rinjtë nga HERA, e theksojnë rëndësinë e rritjes së ndërgjegjes për shfrytëzimin e mjeteve dhe metodave kontraceptive, por dhe nevojën e edukimit të të rinjve, me qëllim që t’u mundësohet të sjellin vendime të drejta në shëndetin e tyre seksual dhe reproduktiv.

“Kontraceptivi para se gjithash paraqet të drejtë për shëndet dhe mbrojtje shëndetësore. Në vitin 2012, Kombet e Bashkuara, gjegjësisht Fondi për Popullsinë e Kombeve të Bashkuara, kontraceptivin e ka shpallur si të drejtë universale”, theksojnë nga HERA.

Lajme të ngjashme

Back to top button