Të formohet korpus elektronik për hulumtime leksikologjike dhe frazeologjike në Maqedoni

“Korpus- hulumtime të bazuara leksikologjike dhe frazeologjike: Përvojat turke” në kuadër të takimeve mujore linguistike që i organizon Akademia e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM) ishte tema e sotme në të cilën ligjëroi prof.dr. Oktaj Ahmed, raporton Anadolu Agency (AA).

Ai tha se duhet të formohet korpusi elektronik i cili do të jetë bazë për hulumtime frazeologjike dhe leksikologjike me qëllim që të përgatiten fjalorët më të mirë dhe të fitohet një pasqyrë më e mirë për gjuhën sepse librat nuk janë të mjaftueshëm.

Profesori universitar Oktaj Ahmed në prononcimin e tij tha se ligjërimi i sotëm ka të bëjë me korpus hulumtimet e bazuara në Turqi dhe pjesërisht në Ballkan.

“Qëllimi ishte të përcillen përvojat turke se si ajo realizohet në Turqi, çfarë është bërë, si janë formuar korpuset, si kryhen korpus-hulumtimet dhe kahet se çfarë duhet ne në Ballkan të bëjmë, si të organizohemi dhe çfarë projekte duhet të dalin nga këto përvoja. Në Turqi ka qindra hulumtime të këtij zhanri, ndërsa në Maqedoni për fat të keq ka vetëm disa dhe kjo ishte ideja e ligjërimit që hulumtuesit tanë për së afërmi të shohin se për çka bëhet fjalë, si e gjithë kjo mund të bëhet dhe çka mund të bëjmë së bashku në të ardhmen”, deklaroi prof.dr. Oktaj Ahmed për Anadolu Agency (AA).

Ai tha se së pari duhet të fillohet me formimin e një korpusi të mirë në gjuhën maqedonase, konkretisht korpus kompjuterik dhe jo në formë të letrës. Sipas tij, kjo kërkon shumë kohë por edhe ekipe të mëdha duhet të punojnë në atë.

Profesori Ahmed thekson se pas formimit të korpusit atëherë korpuset për hulumtime do të jenë më të lehta në të ardhmen, shumë më të frytshme me çka mund të propagohet gjuha maqedonase në aspekt ndërkombëtar.

“Pse kërkohen këto korpus-hulumtime, sepse fjalorët asnjëherë nuk janë të mjaftueshme sepse çdo herë ka mangësi dhe duke kërkuar nëpër libra dhe materiale ato vështirë mund të gjenden, sidomos ajo çfarë kërkohet siç janë nënkuptimet por kur kërkohet në korpus të mëdha janë shanset të gjenden edhe ato nënkuptime të cilat nuk janë në fjalorin e cilës do gjuhë”, theksoi prof.dr. Oktaj Ahmed.

Në Turqi që nga vitet 90-të ekzistojnë korpuse të tilla hulumtuese në formë elektronike, ndërsa në Maqedoni ka vetëm një, edhe atë për Bllazhe Koneskin, por ky është i kufizuar dhe nuk është për tërë gjuhën maqedonase.

Lajme të ngjashme

Back to top button