UEFA zhvillon mbledhjen e përbashkët të federatave për ndeshjen Shqipëri-Serbi

Në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) u zhvillua sot një mbledhje me karakter informues në lidhje me organizmin e ndeshjes Shqipëri – Serbi, që do të zhvillohet më datë 8 tetor, në stadiumin “Elbasan Arena”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Burimet zyrtare nga FSHF bëjnë të ditur se në takim morën pjesë përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s Keny Scott, ambasadori i Republikës së Serbisë në Shqipëri, Miroljub Zariç, përfaqësues të Federatës së Futbollit të Serbisë,zëvendës drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare, Altin Qato, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit të Shqipërisë, Plarent Ndreca dhe përfaqësues të organizmave që kanë lidhje me zhvillimin e kësaj ndeshjeje.

Sipas Federatës Shqiptare të Futbollit, në qendër të vëmendjes së këtij takimi, ishin masat që do të merren për të garantuar rendin dhe zhvillimin normal të ndeshjes.

Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Futbollit Ilir Shulku, që ishte edhe mikpritësi i takimit, pas përfundimit të tij, deklaroi për faqen zyrtare të FSHF se: “Ishte një takim informues, në vazhdën e konsultave dhe takimeve që kemi zhvilluar gjatë gjithë kësaj periudhe, për organizimin sa më të mirë të kësaj ndeshjeje. Të gjithë të pranishmit, informuan në lidhje me masat që duhet të marrin në mënyrë që gjithçka të shkojë sa më mirë”.

Pas përfundimit të takimit, përfaqësuesi i sigurisë së UEFA-s, të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të Policisë së Shtetit Shqiptar u nisën për në Elbasan ku inspektuan nga afër stadiumin “Elbasan Arena”.

Lajme të ngjashme

Back to top button