Kolesteroli nuk është aspak i dëmshëm?

Konsumi i ushqimeve të pasura me kolesterol si vezët, mishi i kuq dhe gjalpi nuk paraqet rrezik të veçantë për shëndetin, përkundër mendimit të shumë pikëpamjeve tradicionale për kolesterolin, konkludoi këshilli i ekspertëve amerikanë.

Këshilli për udhëzimet ushqimore arriti në përfundimin se kolesteroli më nuk qëndron në listën e zezë si “ushqyes që shkakton brengosje”. Ky është përfundimi i cili i hedh poshtë pothuajse 40 vjet të paralajmërimeve për ushqimin e rrezikshëm të pasur me kolesterol.

Ekspertët nga këshilli shpjegojnë se hulumtimet ekzistuese “nuk e tregojnë ndonjë korrelacion të mjaftueshëm në mes të konsumimit të kolesterolit dhe sasisë së kësaj substance në gjak” në shumicën e njerëzve. Nga kjo ata arrijnë në përfundimin se “kolesteroli nuk është një materie ushqyese për të cilën duhet të shqetësoheni nëse e konsumoni shumë.”

Ekspertët tani thonë se konsumi i vezëve, gjalpit ose biftekut nuk do ta rrisë ndjeshëm nivelin e kolesterolit në gjak ose ta rrisë rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Ata i studiuan hulumtimet klinike nga vitet ‘70 dhe ‘80 të shekullit të kaluar, si bazë për paralajmërimet rreth kolesterolit dhe arritën në përfundimin se provat e asaj kohe “nuk pinë ujë”.

“Vezët janë në rregull. Nuk keni nevojë më ta hani vetëm të bardhën e vezës. Mund ta hani edhe të verdhën, ajo është e shkëlqyer”, thotë nutrologia, Katie Vegessa, ndërsa e quan atë ari të lëngshëm, të mbushur me ushqyes të vlefshëm të cilët janë të mirë për tru.

Nutrologët thonë se paralajmërimet të cilat ishin në fuqi me dekada për kolesterolin kanë bërë që njerëzit t’u kthehen ushqimeve të pasura me karbohidrate dhe sheqer, transmeton Koha.net. “Ajo që ndodhi është se jemi të vërshuar me sheqer dhe karbohidrate, dhe kjo në fakt çon në një varg të inflamacioneve, sëmundjeve të zemrës dhe trashjes,” thotë ajo.

Mjekët thonë se personat me diabet ose probleme të tjera të zemrës megjithatë duhet të jenë të kujdesshëm me kolesterolin, dhe të gjithë duhet të kemi kujdes me konsumin e acideve transyndyrore.

“Më në fund e kuptojmë se nuk është kolesteroli në ushqimin tonë ai që është problemi. Problemi janë transyndyrnat, vajrat e rafinuara të cilat ndodhen në rrënjë të shumë problemeve të zemrës.”

Vigessa para së gjithash paralajmëron për transyndyrnat, produktet e brumit, biskotat, patatinat apo krekerët.

Lajme të ngjashme

Back to top button