Ahmeti: Moszgjidhja e emrit, rrezikon integrimin

Në përfundim të vizitës zyrtare në Bruksel, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, (BDI) Ali Ahmeti, ka takuar Drejtorin e ri të Drejtorisë për Zgjerim të Bashkimit Evropian, z.Kristian Denielson. 

Ahmeti uroi Drejtorin Denielson për detyrën e re dhe shfaqi shpresën që Maqedonia të marrë datën për fillim të negociatave gjatë mandatit të tij. 

Lideri i BDI vazhdoi me elaborimin e arritjeve të përbashkëta të Maqedonisë në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, por ritheksoi edhe në këtë takim që të gjitha këto rrezikohen nga moszgjidhja e çështjes së emrit. 

“Kryetari Ahmeti theksoi që Maqedonia gjendet para zgjedhjes midis dy rrugëve, integrimit ose izolimit. Ne kemi zgjedhur rrugën e integrimit si alternativa e vetme për të ardhmen e përbashkët të të gjithë qytetarëve në Maqedoni. 

Pikërisht për këtë zgjedhje duhet që të diskutohet në shoqërinë tonë me guxim dhe largpamësi si dhe të prezantohen të gjitha argumentet pro dhe kundër rrugës së integrimit ose izolimit”, thuhet në komunikatën e BDI-së. 

Në drekën me Ambasadorët e Bulgarisë dhe Greqisë në BE, Ahmeti kërkoi që të intensifikohet dialogu midis fqinjëve dhe të ulën palët për të diskutuar rreth çështjeve të hapura në mënyrë që të zgjidhën ditë më parë. 

Ndërsa, në Ambasadën Gjermane në NATO dhe në Ministrinë e Jashtme të Belgjikës, por edhe në qendrën Diplomatët e Pavarur, Ahmeti ka nënvizuar nevojën e përfshirjes së drejtpërdrejtë të institucioneve të BE, por edhe të vendeve anëtare të BE, në intensifikim e negociatave midis Maqedonisë dhe Greqisë dhe arritjes së zgjidhjes sepse vetëm kështu garantohen arritjet e Marrëveshjes së Ohrit, paqa, stabiliteti dhe siguria, marrëdhëniet ndëretnike, marrëdhëniet ndërfqinjësore, por edhe mundësohet mirëqenia shoqërore dhe zhvillimi ekonomik.

Lajme të ngjashme

Back to top button