Federata shqiptare injoron gazetarët nga Maqedonia

Federata Shqiptare e Futbollit vazhdon ti injorojë gazetarët shqiptar nga Maqedonia duke mos i akredituar në ndeshjet kualifikuese të kombëtares. Injorimi i gazetarëve shqiptar nga Maqedonia dhe Kosova që nga ndeshja kundër Danimarkës, ka lënë vend për shqetësim te opinionit futbolldashës shqiptarë. Për tu përmirësuar apo edhe për të mbetur gabimi edhe më  tutje, po afrohet edhe një ndeshje shumë me rëndësi për kombëtaren shqiptare, është dueli i 8 tetorit Shqipëri – Serbi.

Por gazetarët sportiv që veprojnë në Maqedoni, lidhur me këtë injorim janë shprehur mjaftë të zhgënjyer me sjelljet e zyrtarëve të FSHF-së, pasi kjo gjë ka filluar t’iu përsëritet atyre shpesh here.

Redaktori i TVM2, Mustafa Ademi në një prononcim për Portalb tha se i ka dërguar kërkesë FSHF-së për akreditim në ndeshjen me Portugalinë por kërkesa i është refuzuar pa ndonjë arsye.

“Unë personalisht kisha kërkuar akreditim për ndeshjen me Portugalinë dhe më refuzuan, pa treguar ndonjë arsye. Në fund, pasi disa herë iu kërkova të më tregojnë pse nuk më kanë akredituar, pasi si gazetar sportiv kam përcjell edhe Kampionate Botërore e Lojëra Olimpike, arsyeja e një te punësuari në FSHF ishte se ai vetëm i kumton përgjigjet dhe nuk di asgjë tjetër. Kjo është një gjë e cila ndodh vazhdimisht dhe nuk ndodh për herë të parë, ndërsa tani, para ndeshjes jetike me Serbinë, doli në shesh pakënaqësia e të gjithë gazetarëve shqiptar sportiv në Kosovë dhe Maqedoni, me ketë edhe pakënaqësia jonë, si Shërbim Publik. Shpresojmë që FSHF të marr masat e nevojshme dhe pos gazetarëve të Shqipërisë, në tribuna ndaj Serbisë, në detyrë të jenë edhe gazetarë nga të gjitha trojet shqiptare”, tha redaktori i TVM2, Mustafa Ademi.

Sipas gazetarit Faton Zylbehari, FSHF-ja është zënë ngushtë në situatën e krijuar për shkak të ecurisë së shkëlqyeshme të kombëtares. Sipas tij Federata shqiptare detyrimisht duhet të jetë më e kujdesshme në këtë rast dhe të respektojë gazetarët shqiptarë, pa marrë parasysh nëse janë nga Kosova apo Maqedonia.

“Është një temë shumë e prekshme dhe sigurisht që do sjellë pakënaqësi, por në anën tjetër kuptoj se edhe FSHF-ja është zënë ngushtë në situatën e krijuar për shkak të ecurisë së shkëlqyeshme të kombëtares. Gjithsesi përshtypja e përgjithshme është se FSHF detyrimisht duhet të jetë më e kujdesshme dhe të respektojë gazetarët shqiptarë, pa marrë parasysh nëse janë nga Kosova, Maqedonia apo ndonjë vend tjetër. Shqipëria është e të gjithëve, e secilit që është shqiptar dhe që ka në zemër ngjyrat ‘kuqezi’. Në kushte të këtilla duhet të shqyrtohet me kujdes kërkesa e secilit medium që meriton të jetë atje. Në të njëjtën kohë duhet kuptuar se nuk mund të një moment FSHF të përgjigjet gjithë kërkesave dhe gjithë portaleve që tani duan të shikojnë kombëtaren. Kujtoj që në FSHF dhe në çdo federatë tjetër ka listë të mediave të rregullta që ndjekin ndeshjen dhe kuptohet që ata kanë përparësi në momentet kur kërkesat janë më të mëdha. Personalisht dënoj mos-kujdesin e treguar ndaj gazetarëve shqiptarë që nuk jetojnë në Shqipëri, por në të njëjtën kohë ju jap një shembull të thjeshtë se ata që janë të rregullt marrin pa problem akreditimet. Është një djalosh-fotograf nga Tetova që gjithmonë është në ndeshjet e Shqipërisë dhe i njëjti ka qenë pa problem i akredituar për ndeshjen me Portugalinë, kur u anashkaluan gazetarët tjerë. Mendoj se ky problem zgjidhet me mirëkuptim dhe pak angazhim nga të dyja palët. FSHF të respektojë gazetarët dhe mediumet që sigurisht do të rrisin interesin në kushte kur kombëtarja është pranë historisë dhe kualifikimit në Kampionatin Evropian”, përfundoi Faton Zylbehari, gazetar në televizionin Alsat-M.

Lidhur me këtë problem, Redaksia e Portalb me anët të një “mail” dërgoi disa pyetje Federatës Shqiptare të Futbollit, por deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Pakënaqësitë për ndeshjen Shqipëri – Serbi, tani më i kanë shprehur tifozët shqiptarë, të cilët që tani kanë marrë përgjigje nga FSHF se nuk do të kenë mundësi të jenë pjesë e ndeshjes historike. Gazetarët nga 20 Shtatori kanë dërguar akreditimet për këtë ndeshje, ndërsa përgjigje zyrtare nga FSHF do të marrin vetëm pesë ditë para fillimit të ndeshjes.

Portalb do të përcjellë nga afër situatën nëse FSHF do të ndryshojë trajtimin e gazetarëve shqiptarë nga Maqedonia dhe nëse kësaj radhe do të përmirësohet gabimi që u bë për ndeshjen ndaj Portugalisë. / Portalb /

Lajme të ngjashme

Back to top button