Bushati shkarkon ambasadorin në OSBE, i merr kompetencat Nishanit

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, është përfshirë në një skandal, duke marrë kompetencat e Presidentit Bujar Nishani dhe duke urdhëruar lirimin nga detyra të ambasadorit shqiptar në OSBE, Spiro Koçi.

Siç shkruan sot “Panorama”, Bushati nëpërmjet sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme, Qirjako Qirko, i ka dërguar një letër zyrtare ambasadorit shqiptar në OSBE, të cilit i ka njoftuar se ndaj tij kanë nisur procedurat e lirimit nga detyra dhe për rrjedhojë duhet të kthehet në atdhe brenda datës 1 tetor.

Burime nga kabineti i Presidentit bëjnë me dije se kreu i shtetit nuk ka firmosur asnjë dekret që të lirojë ambasadorin Spiro Koçi nga detyra. Po ashtu mësohet se ministri i Jashtëm nuk ka propozuar kandidaturë të re për postin e ambasadorit, ndërkohë që nuk ka dërguar asnjë kërkesë te Presidenti për të liruar nga kjo detyrë përfaqësuesin e selisë diplomatike në Vjenë.

Sipas Kushtetutës, Presidenti është i vetmi që ka tagër ligjor të lirojë apo të emërojë ambasadorët me propozim të Kryeministrit.

“Presidenti ushtron edhe këto kompetenca: dh) me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare;  e) pranon letrat kredenciale dhe tërheqjen e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve të tjera dhe të organizatave ndërkombëtare të akredituara në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në nenin 92 të Kushtetutës.

Lajme të ngjashme

Back to top button