Lëvizja Besa: Ejani të bashkohemi, ta rrëzojmë BDI-në

Koordinatori i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, në konferencën e sotme për shtyp, ka bërë thirrje për bashkim dhe formim të një Këshillit Mbipartiak, në të cilin edhe LB-ja do të jetë pjesë e udhëheqësisë së saj.

“Lëvizja BESA , sot është këtu që të hapë një derë të re të bashkëpunimit opozitar. Këshilli Qendror i LB-së në mbledhjen e fundit, ka dalë me vendim që të dilet me ofertën për një platformë opozitare, që parashikon ndërtimin e një fronti të përbashkët opozitar me të gjitha forcat progresive në vend, që kjo strukturë e BDI-së, përfundimisht të largohet nga skena politike shqiptare në Maqedoni”, ka thënë Bilall Kasami.

Lëvizja Besa bën thirrje që të artikulohet dhe mobilizohet sa më fuqishëm zëri opozitar duke mos pasur pretendime se kush do të jenë pushtetarët e ardhshëm, por me qëllim që të përfundojë përfaqësimi i shqiptarëve nga ana e BDI-së.

“I ftojmë të gjithë shqiptarët vullnetmirë, të gjithë partitë që e ndjejnë veten larg këtij subjekti politik, të gjitha OJQ-të, por edhe të gjithë intelektualët, artistët e opinionbërësit shqiptarë, që t’i përgjigjen kësaj thirrje dhe të ndihmojnë që të ndërtohet një koalicion i shpresës dhe shpëtimit kombëtar. Prej sot për qytetarët e Maqedonisë fillon një betejë e re – ta mundin krimin, ryshfetin, tradhtinë dhe pabesinë”, ka shtuar koordinatori i Lëvizjes Besa Bilall Kasami.

Lajme të ngjashme

Back to top button