Egjipti përdor ujin e detit për të shembur tunelet në kufirin me Gazën

Ushtria egjiptiane ka përdorur pompat për të dërguar ujë deti në kufirin me Gazën, me qellim prishjen e tuneleve të cilët përdoren për kalimin e njerëzve kur mbyllen pikat kufitare në këtë rajon, raporton Anadolu Agency (AA).

Ebu Mahmud, palestinezi që disponon një nga tunelet në këtë zonë ka thënë se ushtria egjiptiane rreth orës 01:00 sipas orës lokale ka ndezur pompat për të dërguar ujë në rrjetet me tubacionet e ngritura më parë, me qellim shembjen e tuneleve në këtë rajon. Ai shprehet se disa nga pronarët e tuneleve janë munduar në disa mënyra të pengojnë shembjen e tyre.

Një tjetër pronarë tuneli tha se uji i detit ka shembur pjesërisht disa tunele të cilat janë braktisur më parë, ndërkohë këto tunele mund të shemben krejtësisht shumë shpejt thotë ai.

Ndërkohë Kryesia e Autoritetit të Ujërave e Palestinës në Gaza kishte deklaruar më parë se ngritja e rrjetit të tubacioneve në këtë rajon është shumë e rrezikshme dhe rrezikon jetët e njerëzve në këtë vend, pasi tunelet në fjalë konsiderohen si “arterie” për popullatën në Gaza.

Nënkryetari i kësaj kryesie, Mazin el-Benna më 6 shtator në një konferencë për shtyp tha se: “Ngritja e një rrjeti tubacionesh në kufirin e Gazaës me Egjiptin nga autoritetet e këtij të fundit është një rrezik si për popullin palestinez ashtu edhe për atë egjiptian pasi këto tubacione dëmtojnë rezervat me ujë nëntokësorë”.

Një muaj më parë ishte deklaruar se Egjipti është duke instaluar një rrjet tubacionesh me diametër rreth 60 centimetra.

Ndërkohë theksohet se këto tubacione po vendosen me qellim prishjen dhe shembjen e tuneleve që përdoren nga palestinezët, por ekspertët vënë në dukje se kjo gjë mund të sjellë një “katastrofë” pasi uji i detit i nxjerrë me pompë në këtë rajon mund të dëmtojë rezervat e ujit të pijshëm nëntokësorë.

Pas ardhjes në pushtet të Hamasit me zgjedhje të lira në Gaza, Egjipti mbylli pikën kufitare Refah e cila është si arterie për jetën e palestinezëve që ndodhen nën embargon e Izraelit. Për këtë arsye palestinezët janë detyruar ti drejtohen tuneleve për të përmbushur nevojat e tyre elementare jetësore.

Në tunelet e shumta që ndodhen në kufirin e Gazës me Egjiptin transportohen më së shumti ushqime, ilaçe, kafshë të gjalla dhe deri tek automjetet të cilat janë të nevojshme për mbarëvajtjen e një jetës normale në këtë vend.

Ndërkohë qeveria e ardhur në pushtet në vitin 2013 me grusht shteti në Egjipt, shembi një numër të madh të këtyre tuneleve të cilat konsiderohen si “arterie” për popullatën e Gazës.

Lajme të ngjashme

Back to top button