Izraeli ka kryer sulme në Liban, goditi gjithashtu edhe Rripin e Gazës
Izraeli nisi sulme në Libanin jugor mëngjesin e sotëm dhe vazhdoi goditjen e objektivave në Rripin e Gazës, duke përshkallëzuar situatën pas shpërthimit të dhunës në pjesën më të ndjeshme të Jerusalemit, afër xhamisë Al Aksa, raporton VOA. Kreu i forcës paqeruajtëse të OKB-së në Liban tha se ishte në kontakt me autoritetet izraelite dhe libaneze dhe se të dyja palët kanë thënë se nuk duan luftë.
Sulmet e së premtes në Libanin jugor u nisën një ditë pasi militantët hodhën me dhjetëra raketa drejt Izraelit, duke plagosur dy persona dhe duke shkaktuar dëme materiale. Ushtria izraelite tha se kishte në shënjestër anëtarët e Hamasit, grupit militant palestinez, në Libanin jugor.
Deri në mëngjesin e sotëm nuk u raportua për viktima në njerëz.
Sulmet izraelite në Liban rrezikojnë të përfshijnë në luftime grupin libanez Hezbollah. Grupi i mbështetur nga Irani ka ndikim mbi pjesën më të madhe të Libanit jugor dhe shihet nga Izraeli si një armik i përbetuar.
Kreu i forcës paqeruajtëse të OKB-së në Liban, gjeneral major Aroldo Lázaro, tha se ishte në kontakt me autoritetet izraelite dhe libaneze. Forca, e njohur si UNIFIL, tha se të dyja palët kanë thënë se nuk duan luftë.
Sulmet ajrore izraelite në Gaza vazhduan edhe të premten, pasi militantët hodhën raketa të tjera, duke ndezur sirenat e sulmit ajror në qytetin bregdetar izraelit, Ashkelon.
Ushtria izraelite thotë se ka një lidhje të qartë midis sulmit me raketa nga Libani dhe trazirave të fundit në Jerusalem duke shtuar se grupet militante të Hamasit ose Xhihadit Islamik, të cilat janë me bazë në Gaza, por që veprojnë edhe në Liban, mund të jenë të përfshira.
Kryeministri i përkohshëm i Libanit, Najib Mikati, dënoi sulmet me raketa nga Libani, duke shtuar se trupat libaneze dhe paqeruajtësit e OKB-së po hetonin dhe po përpiqeshin të gjenin autorët. Ai tha se qeveria e tij “refuzon kategorikisht çdo përshkallëzim ushtarak” dhe përdorimin e territoreve libaneze për të organizuar akte që kërcënojnë stabilitetin.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mblodhi kabinetin e tij të sigurisë për një takim tre-orësh në orët e vona të së enjtes. “Përgjigja e Izraelit, sonte dhe më tej, do t’iu shkaktojë një çmim të rëndë armiqve tanë”, tha ai në një deklaratë pas takimit.
Në Uashington, një nga zëdhënësiu e Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, tha: “Izraeli ka shqetësime legjitime për sigurinë dhe ka çdo të drejtë të mbrojë veten”.
Por ai gjithashtu kërkoi qetësi në Jerusalem, duke thënë se “çdo veprim i njëanshëm që rrezikon status quo-në për ne është i papranueshëm”, tha ai.
Dhuna filloi të mërkurën pasi policia izraelite bastisi dy herë Xhaminë Al-Aksa në qytetin e vjetër të Jerusalemit. Xhamia, vendi i tretë më i shenjtë në Islam qëndron në një majë kodre të nderuar nga hebrenjtë si Mali i Tempullit, vendi më i shenjtë në judaizëm.
Pretendimet e të dyja grupeve ndaj zonës kanë qenë shkaktar të rregullt të dhunës përgjatë viteve.
Policia izraelite ka arrestuar mbi 400 persona. Autoritetet izraelite kontrollojnë hyrjen në zonë, por kompleksi administrohet nga zyrtarë islamikë dhe ata të Jordanisë.