Donald Lu: S’duhet t’i lëmë të fitojnë gjykatësit e korruptuar

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka deklaruar se “gjykatësit e prokurorët e korruptuar do t’i kundërvihen reformës në Drejtësi, por ne nuk duhet që t’i lëmë të fitojnë”. I pranishëm në një tryezë të zhvilluar për reformën në Drejtësi, Donald Lu, theksoi se kudo është shqetësimi për gjykatësit e korruptuar, për një sistem ku më të pasurit e blejnë drejtësinë e tyre.

“Ne shqetësohemi për gjykatësit e korruptuar, politikanë kriminelë dhe një sistem në të cilën më të pasurit e blejnë drejtësinë e tyre. Lufta për reformën në drejtësi sapo ka nisur. Njerëz me integritet në të djathtë dhe në të majtë besojnë në këtë luftë. Gjykatës, prokurorë e politikanë të korruptuar dhe të paaftë do ti kundërpërgjigjen kësaj reforme. Ne nuk duhet t’i lejojmë ata të fitojnë. Kjo është reforma e vetme më e rëndësishme prej rënies së komunizmit. Është tejet e rëndësishme për këtë brez, por dhe për nipërit e mbesat tuaja”, ka deklaruar ambasadori amerikan.

Ndërkohë, ambasadori i Gjermanisë në vendin tonë Helmut Hoffman, bëri thirrje për të pastruar sistemin e drejtësisë nga “mollët e kalbura”. Nga ana tjetër ai bëri një apel: nëse nuk kryhet reforma tani, do të humbasim 10 vjet kohë.

Sipas ambasadorit gjerman, duhet të fokusohemi në dy drejtime, pjesa e parë është shërbimi civil dhe shërbimi publik, sepse këtu është bërë një zakon i vazhdueshëm që ndryshohet stafi në shërbimin civil dhe pjesa e dytë është reforma në drejtësi, sepse të gjithë e dinë problemin në drejtësi.

“Nuk është e nevojshme të them se çdo përparim i Shqipërisë drejt BE-së, ka të bëjë me reformën në drejtësi. Edhe kancelarja Angela Merkel, është marrë personalisht me çështjen e reformës në drejtësi. Unë jam dakord me termin tuaj, “mollë e kalbur”. Shumë norma dhe ligje ju duhet t’i modifikoni. Unë uroj që të gjendet mënyra që të pastrohet sistemi nga këto mollë të kalbura. Bashkimi Europian, luan një rol të rëndësishëm në këtë reformë dhe nëse do ta humbisni këtë mundësi tani, keni për ta humbur për një kohë të gjatë”, tha Hoffman.

Në fund të fjalës së tij, ambasadori gjerman shtoi: “Dhe nëse nuk e kryeni këtë reformë tani, e keni humbur mundësinë për 10 vjet. Të gjithë duhet të kontribuojnë edhe minoranca edhe mazhoranca, zgjidhja më e mirë është të diskutohen problemet”.

Lajme të ngjashme

Back to top button