Arrihet marrëveshja 25 milionëshe midis Gjermanisë dhe Kosovës

Arrihet marrëveshje prej 25 milionë eurosh mes Gjermanisë dhe Kosovës. Kjo marrëveshje, e cila u nënshkrua sot nga ministri i Finacave, Avdullah Hoti dhe Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, për synim ka përmirësimin e kushteve të jetesës për kosovarët.

12 prej 25 milionë eurove janë kredi, të cilat do të shfrytëzohen për të përmirësuar rrjetin përçues, kurse, 13 milionë do të shfrytëzohen për përmirësimin e sistemit të ngrohjes Termokos dhe trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes ministri Hoti tha se Qeveria e Gjermanisë deri më sot ka dhënë ndihma të vazhdueshme për Kosovën, të cilat kapin vlerën prej 450 milionë eurove.

“Sot nënshkruam marrëveshjen për vitin 2014 me Gjermaninë. E kishim nderin që ta kishim sot ambasadoren e Gjermanisë këtu, për ta nënshkruar këtë marrëveshje. Ndihma e Qeverisë gjermane për Kosovën është e vazhdueshme dhe shumë signifikante, me vlerat që arrijnë mbi 450 milionë euro deri më tani në mbështetje në sektorë të ndryshëm dhe në sektorë kyç, të cilët ne nuk kemi pasur mundësi t’i mbështesim me resurset tona. Marrëveshja që nënshkruam sot është në vlerë prej 25 milionë euro, prej të cilës 12 milionë euro janë kredi për KOST’in, për të përmirësuar rrjetin përçues dhe janë 13 milionë euro në dy projekte në përmirësimin e sistemit të ngrohjes Termokos dhe një projekt tjetër rreth 9 milionë euro në trajtimin e ujërave të zeza në Prizren, Gjakovë, Pejë”, tha Hoti.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, u shpreh e kënaqur me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi mes dy shteteve. Ajo tha se këto donacione po bëhen që të përmirësohet jeta e qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që ata të mos ikin nga vendi i tyre dhe të kenë perspektivë këtu.

“Gëzohemi shumë që sot kemi mundësi të nënshkruajmë dy marrëveshje për bashkëpunim financiar. Në kuadër të këtij projekti, domethënë për përmirësimin e transplacionit energjetik, ne kemi dhënë 4 milionë euro, e cila është përkrahur edhe nga Banka për Zhvillim e Gjermanisë. 13 milionë për sistemin e ngrohjes dhe për trajtimin e ujërave të zeza. Me këto ndihma dhe me këto projekte, Qeveria gjermane dëshiron t’i ndihmojë Kosovës, që të krijohet perspektiva për njerëzit në vendin e saj. Në këto masa, ne synojmë të sigurohen nevojat elementare të familjeve këtu dhe një furnizim me ujë I sigurt dhe ngrohje është hap I madh për familjet e prekura që të rrinë në Kosovë…Ne jemi shumë të interesuar të përmirësojmë jetën e qytetarëve këtu në Kosovë dhe për të gjithë ata që janë të interesuar që në mënyrë legale të shkojnë në Gjermani, qeveria gjermane ka ngritur një qendër informacioni ku mund të informohen rreth mundësive legale për migrim atje”, tha Viets.

Ditë më parë, kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se nuk ka asnjë shansë për kosovarët për azil në Gjermani.

Lajme të ngjashme

Back to top button