Haradinaj dorëhiqet nga Komisioni Jashtëm

Ndarja e kufirit Kosovë-Mali i Zi, ka sjellë përplasje mes kryetarit të komisionit për politikë të jashtme Enver Hoxhaj dhe anëtarit të këtij komisioni Ramush Haradinaj. Pas shqyrtimit të raportit, ky i fundit dha dorëheqjen pasi tha se nuk mund të jetë instrument i Thaçit dhe Mustafës në pazarin që po bëhet për kufirin.

“Ajo është tokë e Kosovës dhe askush nuk ka të drejtë ta dorëzojë atë tokë. S’ka më me këtë logjikë, Murat Meha është gabim. Ju jeni gabim, kryetari i komisionit, partia jote është gabim, kryetari yt është gabim. Mos vazhdoni me këtë logjikë. Nuk është temë shakaje, këto marrëveshje, marrëveshja me kufirin nuk qëndron. Ne shqiptarët kemi gabuar që kemi nënshkruar, Isa Mustafa është gabim, ju jeni gabim” ka thënë Haradinaj, raportojnë mediat e Kosovës.

Sipas raportit te demarkacionit Kosovë-Mal i Zi, të prezantuar në Komisionin e Punëve të Jashtme, vija kufitare është rreth 7 km në brendësi të territorit të Kosovës. Sipas planit Ahtisari, çështja e kufirit me vendet fqinje, përveç me Maqedoninë, parashikohet të zgjidhet duke marrë parasysh “vijat e dikurshme kufitare” në kuadër të Ish-Jugosllavisë. Sipas kushtetutës së vitit 1974 në Ish-Jugosllavi kufiri i Kosovës, ka qenë 29 kilometra larg prej Pejës, ndërsa aktualisht kufiri është rreth 22 kilometra larg prej Pejës.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button