Turqi, vriten 12 policë në një sulm terrorist në lindje të vendit

Së paku 12 policë janë vrarë në sulmin e sotëm me bombë ndaj një automjeti policor i cili lëvizte drejt kalimit kufitar Diluc, që ndodhet ndërmjet Turqisë dhe Nahcivanit, krahinës autonome në kuadër të Azerbajxhanit, raporton Anadolu Agency (AA).

Terroristët e PKK në mëngjesin e sotëm kanë kryer sulm ndaj automjetit të policisë që ishte nën përcjelljen e policisë kufitare në kalimin kufitar Diluc.

Sipas informacioneve paraprake, në këtë sulm humbën jetën 12 policë.

Kujtojmë se terroristët e PKK-së kanë aktivizuar mjetin shpërthyer në rrugën në afërsi të fshatit Hasanhan, ndërsa në sulm gjithashtu u plagosën disa policë turq. Policët e plagosur janë dërguar në spitalin e qytetit në Igdir.

Shtabi i përgjithshëm i ushtrisë turke njoftoi dje se 16 policë u vranë, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën në sulmin terrorist në Yuksekova në provincën juglindore Hakkari, sulm ky i kryer nga terroristët e PKK të dielën.

PKK është shpallur organizatë terroriste në Bashkimin Evropian, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara. Në kuadër të procesit të zgjidhjes së çështjes kurde më parë janë nisur bisedimet me partitë pro-kurde, dhe është arritur marrëveshja me Qeverinë e Turqisë të përbërë nga stafi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) për çarmatimin e pjesëtarëve të PKK-së dhe tërheqjen e tyre nga territori turk në hapësirën e Irakut verior. Terroristët e PKK-së në muajt e fundit në dhjetëra raste kanë shkelur marrëveshjen e arritur në negociatat e fundit të autoriteteve turke me Abdullah Ocalan, liderin e organizatës terroriste i cili vuan dënimin e burgimit të përjetshëm.

Në sulmet terroriste të kryera në disa muajt e fundit janë vrarë dhjetëra njerëz, ndërsa është shkaktuar edhe dëmi i madh material në vendbanimet në juglindje të Turqisë.

Lajme të ngjashme

Back to top button