Rama shkurton shpenzimet e deputetëve për makinat

Funksionarët publikë dhe nëpunësit civil do të kenë më pak lekë në dispozicion për transportin. Qeveria nis të vërë në jetë premtimin për të shkurtuar shpenzimet e administratës shtetërore në tërësi.

Projektligji i përgatitur tashmë ka si qëllim disiplinimin e shpenzimeve të transportit për një sërë funksionarësh që konsiderohen të kategorisë se dytë.

Sipas “Vizion+”, në draft saktësohet se çdo deputet pavarësisht largësisë nga zona e tij elektorale, nuk do të shpenzojë më shumë se 40 mijë lekë në muaj për transportin e tij, nga rreth 45 mijë lekë që ishte limiti më parë. Ndërsa funksionaret e tjerë, këtë kufi do ta kenë 20 mijë lekë nga 35 mijë që e kanë aktualisht.

Në këtë dokument nuk përfshihen ministrat, Kryetari i Kuvendit apo krerët e institucioneve kushtetuese. Projektligji në fjalë i miratuar në qeveri, pritet të bëhet objekt diskutimesh edhe në Parlament. Një nismë të tillë të ngjashme e mori edhe qeveria Berisha në vitin 2009, ku vendosi heqjen e makinave dhe shoferëve për deputetët.

Parlamenti shqiptar deri në vitin 2009, renditej i pari në Evropë për trajtimin e veçantë që u ofronte deputetëve, duke i pajisur të gjithë me makinë personale.

Gjithashtu, ai kishte rekordin për shpenzimet për automjetet në dispozicion të deputetëve, me 20 për qind të buxhetit të përgjithshëm të Kuvendit, ose 50 për qind e shpenzimeve operative të këtij buxheti. Sipas llogaritjeve të qeverisë së mëparshme, një deputet i kushtonte buxhetit me makinën, mirëmbajtjen dhe shoferin, 19 mijë dollarë në vit. 

Lajme të ngjashme

Back to top button