Ministri Çollaku i zhgënjyer me BE-në

Bashkimi Evropian duhet të lëvizë përpara me nënshkrimin e MSA-së dhe heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, në të kundërtën kredibiliteti i saj do të humbë tek qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Kështu ka deklaruar ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, gjatë një interviste për gazetën “Zëri”, duke shtuar se izolimi i qytetarëve të Kosovës duhet të marrë fund.

“Nuk mund të kërkohet nga Kosova të jetë shoqëri e hapur e në të njëjtën kohë të jetë e izoluar”, shprehet Çollaku për gazetën.

I pari i Ministrisë së Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës thotë se është i habitur nga ngutësia e Komisionit Evropian për ta shpërblyer Serbinë menjëherë për “konstruktivitetin” e saj në dialog me Kosovën.

Përderisa, shprehet tepër i zhgënjyer që Be-ja dështon ta dëshmojë me veprime konkrete se në këtë dialog është edhe një palë tjetër, e cila ka nevojë që të përfitojë shumë më tepër sesa Serbia në agjendën evropiane.

Sa i përket liberalizimit të vizave, ministri Çollaku ka thënë se dialogu për këtë është duke u zhvilluar mbi premisën “strikt por fer”.

“Përderisa BE-ja në rastin e Kosovës ka qenë strikte, duke dyfishuar numrin e kritereve në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe duke vendosur kritere specifike të cilat nuk kanë qenë për vendet tjera krejt cka kërkojmë tani është të jenë fer dhe mbi bazën e meritave të rekomandojnë heqjen e vizave për qytetarët tanë duke i dhënë fund izolimit tonë. Dhe po, ne presim që një gjë e tillë të ndodhë patjetër vitin e ardhshëm”, ka thënë ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku.

Lajme të ngjashme

Back to top button