Policia kërkon aktivistin Valdrin Ahmeti, VV fajëson kryeministrin

Lëvizja Vetëvendosje përmes një njoftimi për medie bëri të ditur se sott, rreth orës 11:00, Policia e Kosovës shkoi për ta arrestuar në shtëpinë e tij aktivistin Valdrin Ahmeti.

Pas ekspress-dënimit të djeshëm të një qytetari që nga mllefi kishte “kërcënuar” ministrin dhe djalin e kryeministrit, sot u tregua edhe njëherë që efektiviteti policor është i jashtëzakonshëm kur bëhet fjalë për kryeministrin, thuhet në njoftim.

Gjithnjë sipas LVV-së, “ky veprim i policisë, e cila po e kërkon për ta arrestuar aktivistin Valdrin Ahmeti, vjen pasi që të njëjtin aktivist vetë Isa Mustafa e përmendi me emër në emisionin ‘Debat’ në RTK, më 28 gusht 2015”.

“Pra, është e qartë që Isa Mustafa është shndërruar në kryepolic që jep urdhëra se kënd ta arrestojë policia, kënd ta dënojë urgjentisht gjykata, ndaj kujt të hapen hetimet, etj. Ky kryepolic e ka vënë të gjithë sistemin në shërbim të tij, familjes, pronave dhe ministrave të tij”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes, përcjell koha.net. “Ky nuk është kryeministër i qytetarëve të Kosovës”, thotë LVV.

Lajme të ngjashme

Back to top button