Kosova pritet të fillojë këtë vit negociatat për MSA

-Kosova pritet të fillojë në vjeshtën e këtij viti negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, u tha sot në mbledhjen e Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane.

“Presim që negociatat për MSA të fillojnë në vjeshtë të këtij viti, ndërsa synojmë që negociatat të përmbyllen deri në pranverë të vitit të ardhshëm. Në bashkëpunim me Komisionin Evropian kemi dakorduar një kalendar intensiv të negociatave”,  raportoi ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku, lidhur me përgatitjen e institucioneve të Republikës së Kosovës.  

     Sipas saj,  në kuadër të procesit negociator do të mbahen 4 takime në nivel të kryenegociatorëve, në tetor e nëntor të këtij viti dhe në shkurt e maj të vitit të ardhshëm, ndërkohë do zhvillohen takime të grupeve punuese.

     Ministrja Çitaku vlerësoi se nisja e negociatave për MSA  mes Kosovës dhe BE-së është një moment vendimtar në kuadër të procesit integrues. 
     
“MSA do të jetë marrëveshja e parë kontraktuale mes Kosovës dhe BE-së, nëpërmjet së cilës do të bëjmë zotime të ndërsjella. Kosova do të japë zotimin për të bërë reforma më të thella, ndërsa BE-ja do të ofrojë mundësi reale për anëtarësim”, u shpreh ajo, duke shtuar se qëllimi i MSA-së është ofrimi i kornizës politike dhe ligjore që do të rregullojë procesin e përafrimit dhe anëtarësimit në BE.
     
Duke e quajtur këtë proces si një fillim të mbarë, pas 10 vjet pritjeje të qytetarëve të Kosovës, kryetari i Komisionit për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri,  theksoi se ky komision do ta forcojë rolin e tij kushtetues edhe gjatë negociatave,  duke ushtruar me përgjegjësi të plotë gjithë angazhimin, në mënyrë që negociatat të prodhojnë rezultate. 
     
Ai tha se procesi për integrime evropiane nuk duhet të përdoret për interesa grupore individuale apo partiake, pasi kjo e dëmton konsensusin dhe këtë proces.

Lajme të ngjashme

Back to top button