IPA fondet përplasin PDSH-në e BDI-në

Në Komisionin parlamentar për Çështje Europjane, diskutimi për shgfrytëzimin e IPA fondeve, u shndërrua në akuza mes partive shqiptare. PDSH-ja opozitare pyeti Ministrin e Drejtësisë Blerim Bexheti se sa ai shfrytëzon IPA fondet për parandalimin e gjyqësisë selektive dhe raciste, siç e quajnë ata gjyqësinë në Maqedoni.

“Zakonisht flitet për gjyqësi selektive, por unë e quaj një eufemizëm për gjyqësinë raciste  që bëhet këtu në Maqedoni ndaj komunitetit, ndaj bashkësisë me mbi 20 % sepse nuk quhemi as shqiptarë këtu. Dhe, në këtë aspekt, unë do i përmend disa raste; atë të Sopotit, Brodecit, Monstra, kemi vdekjen e Ibrahim Sulejmanit në burgun e Shtipit… kemi disa raste që këtu shihet se ka një drejtësi vërtet raciste. Pra, çfarë bëni ju në këtë drejtim, si shfrytëzohen këto fonde për të ndryshuar këtë sistem drejtësie për shqiptarët”, pyeti deputeti i PDSH-së Bekim Qoku.

Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti tha se do të përgjigjet me shkrim nëse gjen ndonjë element në pyetjen e deputetit që ka të bëjë me temën e Komisionit Parlamentar.

“Unë do bëj përpjekje nëse do mund të gjej elemente që kanë të bëjnë me temën që t’ju përgjigjem me shkrim, edhe pse vështirë se do mund të gjej! Ju, i nderuar deputet, keni foltoren e parlamentit në çdo kohë, edhe mund të diskutoni për gjërat që vlerësoni. Por opinioni është ai që i vlerëson prononcimet tuaja publike! Do bëj përpjekje nëse do gjej për temën konkrete edhe pse e them publikisht që fatkeqësisht nuk kishte diçka që ka të bëj me debatin e sotëm”, tha Ministri Bexheti.

Lajme të ngjashme

Back to top button