IDEJA E POPULLIT
Me Abdylmutalipin u morëm vesh: do ta bëjmë një asociacion shkencor e kulturor si ai që e kanë shumë shtete në Evropën qendrore. Sipas modelit të Matica Hrvatskës. Unë punën, kurse ai do t’i hapë dyert e hekurta të burokracisë.
– E kam gati elaboratin, programin. Gjithë çka duhet. Mbetet të luftojmë me burokracinë. Këtu ti duhet të prish – i thashë Andylmutalipit. – Po punoj gjatë kohë për realizimin e kësaj ëndrre.. – A të pëlqen ideja?
– Po. Shumë ide e bukur – më thotë Abdylmutalipi. – Unikum. Me ide, me elaborat, me program… Të gjitha.
– A mos ke ndonjë vërejtje, Abdylmutalip?
– Jo. Asnjë presje nuk bën të shtohet këtu – më thotë Abdylmutalipi.
– Por, – i thashë – nëse nuk veprojmë bashkë do të na e shkelin projektin.
– Për çka më more mua?! – u hidhërua Abdylmutalipi. – Kurrën e kurrës nuk mund të bëhet fjalë për një dyshim të tillë. Unë e mbaj fjalën. Por edhe dyert i kam të hapura gjithkund – tha ai.
– Në rregull, atëherë, o Abdilmutalip.
Abdylmutalipi e rregulloi kollaren, ma shtrëngoi dorën në ndarje dhe më tha:
- Gjithmonë bashkë!
E dorëzova unë elaboratin me tërë dokumentacionin e duhur në sportel dhe i tregova Abdylmutalipit.
- I dorëzova dokumentet – e njoftova Abdylmutalipin.
- Shumë mirë! m’u përgjigj ai. – Tash e tutje mos u mërzit. Ne së bashku e
bëjmë këtë projekt fare lehtë. I njoh mirë edhe ata të kryesisë… E di…
Prej se u ndamë, ai u tret. E kërkoj unë Abdylmutalipin, Abdylmutalipi kurrkund! Shkoj e trokas në dyert e burokracisë, të pyes çka është puna, ku humbi ky Abdylmutalipi – dyert atje mbyllur për mua. Tatari e marrtë vesh, thashë vetë me vete dhe po prisja kah do të krisë. Çka do të dalë. Kur… një natë… e shoh unë Abdylmutalipin në një televizion. Natën tjetër në televizionin tjetër. Pastaj nëpër gazeta… I del zot projektit në mënyrë populiste.
– Si ju lindi ideja?… e pyesin gazetarët Abdylmutalipin. – Për themelimin e Institutit… Kurse Abdylmutalipi vazhdimisht u përgjigjet:
– Po, si të them… Kjo ide është e moçme. Është ide e popullit.
– E popullit?
– Po, e popullit.
Edhe shikuesit dalin të kënaqur, edhe lexuesit, edhe gazetarët, edhe Abdylmutalipi. Të gjithë dalin të kënaqur, sepse ideja është “e popullit”. S’ka më të mirë se ideja e popullit!… Sepse këtu s’tolerohet ideja e individit.
Takohem një ditë me Abdylmutalipin ballë më ballë. Ai mundohet të largohet, po s’ka kah ia mban. E pyes:
- Çka mendon, Abdylmutalip, a u shpik edhe makina me avull si rezultat i
idesë së popullit? Ose: edhe telefonin do ta ketë shpikur populli? Edhe rrymën alternative… Edhe internetin…
Ai nuk m’u përgjigj. Më shikoi me ironi dhe vazhdoi kah zyrat e tij. Pastaj filloi të bjerë shi dhe aty për aty u shfaq shoferi dhe e mori Abdylmutalipin. Mos të laget…
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.